Ndërtimi i lagjeve të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti, si dhe rindërtimin masiv i banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar janë dy prej drejtimeve kryesore për zgjidhjen e situatës së krijuar nga tërmeti.
Kështu shpreh sot, gjatë një konference për shtyp, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, njëkohësisht drejtues qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore.
Lidhur me vlerësimin monetar të dëmeve, Çuçi tha se “nuk kemi ende një faturë të saktë dhe përfundimtare të dëmeve që na shkaktoi tërmeti i dy javëve më parë”.
Ne si qeveri, tha ai, “kemi filluar përgatitjen e planeve konkrete për zgjidhjen afatgjatë të problemeve që shkaktoi tërmeti i dy javëve më parë”.
Këto zgjidhje ndër të tjera përfshijnë edhe ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese në lagjet e reja, si shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, infrastrukturë tokësore dhe nëntokësore, si dhe ndërtimin e shtëpive ekologjike në zonat rurale.
“Verifikimi i detajuar i dëmeve në ndërtesat e prekura nga tërmeti është hapi i parë në përgatitjen e raportit të sëmeve. Caktuam Milva Ekonomin në rolin e Koordinatores Kombëtare për Raportin e Dëmeve, si dhe ngritëm grupin e përbashkët të punës me BE-në, Bankën Botërore dhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për ta përgatitur këtë raport, i cili do të paraqitet në 16 janar”, tha ai./atsh