“Gjendja e tre të lënduarve nga tërmeti që po marrin trajtim të specializuar në Itali, deri tani paraqitet e stabilizuar, po ashtu edhe gjendja e 18 të lënduarve që po marrin trajtim në spitalin e Traumës dhe atë të Durrësit”.
Gjatë intervistës së ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhënë për një nga mediet në vend, ajo vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve jo vetëm gjatë emergjencës, por edhe punën që po bëjnë në pikat ku janë sistemuar banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit.
“Ramë Lala është shumë mirë, e ka superuar çdo lloj rreziku, ndërkohë që për të dy qytetarët e tjerë, Albert Cara, Marlin Shkodra, janë në Bari. Unë kam marrë informacion, në fakt marr informacion të përditshëm për ta dhe interesohem personalisht. Kam qenë dje në komunikim me drejtorin e poliklinikës së Barit për t’u interesuar për gjendjen e tyre. Gjendja është e stabilizuar. Djali ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale, ndërkohë që e ka superuar me sukses dhe gjendja paraqitet e stabilizuar. Sigurisht, kërkojnë kohën e vet të rikuperimit, të rehabilitimit, që është e nevojshme në këto raste. Ndërkohë, në spitalet tona kemi 18 njerëz të lënduar që vijojnë ende të marrin shërbim sipas protokollit të mjekimit në spitalin e Traumës dhe spitalin e Durrësit. Gjendja paraqitet e stabilizuar. Janë nën monitorim. Nëse do të kërkohet dhe do të jetë e nevojshme edhe një ndjekje akoma më e specializuar, pavarësisht se këtu ka qenë një ndjekje 100% e garantuar dhe profesionale”, – tha ministrja.
“Janë më shumë se 500 mjekë në terren, jo vetëm të qarqeve të prekura, por edhe mjekë që kanë ardhur vullnetarisht, që po japin shërbim 24/7 në ambientet ku janë sistemuar banorët. Janë kryer më shumë se 5500 vizita, ndërsa vijojmë me programin e vaksinimit, ku deri tani janë kryer më shumë se 1500 vaksinime në pikat ku janë sistemuar banorët”, -tha Manastirliu.
E pyetur në lidhje me dëmet e shkaktuara nga tërmeti në godinën 6-katëshe në QSUT, Manastirliu tha se godina nuk ka dëme strukturore dhe janë marrë masat në zbatim të aktkonstatimit të ekspertëve, për të nisur menjëherë puna për riparimin e dëmeve.
Manastirliu theksoi se po rehabilitohen dëmet në godinat shëndetësore të dëmtuara, ndërsa do të përfshihen në planin e rindërtimit godinat me dëmtime më të rënda./atsh