Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme teknike për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi sot në Bruksel edhe një takim me Komisionerin e sapozgjedhur për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi.
“Këmbyem pikëpamjet mbi përmbajtjen e metodologjisë së re të negocimit dhe rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, u shpreh Cakaj.
Në thelb, theksoi Cakaj, “ndamë qëndrimin e njëjtë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme teknike për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Pas miratimit të metodologjisë së re, pritet një dinamikë e shtuar në politikat e zgjerimit të BE-së që do të mundësojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë”.
Sidoqoftë, vijoi Cakaj, “pavarësisht shtyrjes së vendimit dhe procesit të reformimit të metodologjisë së negocimit, Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer për reforma modernizuese dhe transformime demokratike”./atsh






