Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan premtoi sot se, brenda harkut kohor të një viti 500 banesat e premtuara për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit do të jenë gati.
Në një prononcim për mediet, nga Turqia, ku u mbajt konferenca ndërkombëtare e nivelit të lartë për investimet publike e private, presidenti turk siguroi për vijimin e mbështetjes për Shqipërinë.
“Për sa i përket ndërtimeve, ka filluar puna. Të gjitha ekipet janë andej dhe në kontakt me ministren e Kulturës në Shqipëri. Po presim që të vendoset për vendin ku do të ndërtohet, në mënyrë që të nisë sa më shpejt procesi”, – deklaroi Erdogan.
Erdogan theksoi po ashtu se po diskutohet që një pjesë të ndërtimeve t’i bëjmë çelik dhe një pjesë ndërtim normal.
“Diskutuam me Kryeministrin dhe ai tha se banesat mund të jenë gati brenda 6 muajsh, deri në një vit”, – tha Erdogan.
Po ashtu, presidenti turk bëri të ditur se janë dërguar drejt Shqipërisë edhe një numër i madh çadrash speciale dimërore, pasi koha është e ftohtë.
I pyetur nëse kishte besim se vendet e tjera do t’i përgjigjeshin kërkesës së kryeministrit Rama për ndihmë, presidenti turk theksoi se “edhe Kryeministri bëri thirrje, edhe unë e përsërita thirrjen për ndihmë edhe një herë pas kryeministrit Rama dhe shpresoj të marrim përgjigje pozitive”./atsh