Loading...

Rama në Konferencën e nivelit të lartë për investimet në Turqi, thirrje për solidaritet: Tërmeti na ka sfiduar si asnjë sfidë tjetër e gjithë historisë moderne

“Dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit shkon përtej asaj çka është njerëzisht e përballueshme nga ne”, deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për investimet publike e private, me ftesë të Presidentit Erdogan.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e thellë për reagimin e menjëhershëm pas ngjarjes tragjike që theu zemrën e Shqipërisë.

“Më lejoni së pari e mbi të gjitha që të shpreh mirënjohjen që jam përballë kësaj audience të nderuar dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për reagimin e menjëhershëm pas ngjarjes tragjike që theu zemrën e vendit tim. Ju ishit atje për mua dhe për popullin shqiptar qysh prej mëngjesit të parë, që na u desh të merreshim me pasojat shkatërrimtare të tërmetit të 26 nëntorit”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “nuk do jem kurrë në gjendje të gjej fjalët që do të përshkruanin se sa shumë thotë për popullin shqiptar e për mua angazhimi juaj personal dhe mobilizimi i njerëzve tuaj që erdhën në Shqipëri me shpejtësi të plot, me zemrën plot, me ndihmën plot”.

Rama tha se “asnjëherë nuk do të harrojmë dedikimin në terren të ekipeve tuaja të shpëtimit që vendosën jetën në rrezik për të shpëtuar jetën e tanëve dhe kurrë nuk do të harrojmë premtimin për të qenë atje për ne, për rindërtimin”.

“Faleminderit shumë për sot që jeni këtu me mua dhe që më keni krijuar këtë mundësi unike për t’ju drejtuar një forumi kaq special personash të pasur, në një kohë kaq vendimtare për vendin tim, që ka nevojë reale për ndihmë për t’i mbijetuar plagëve të thella që i janë shkaktuar”, -tha Rama.

Duke informuar për situatën pas tërmetit, Kryeministri tha se “në vijim të tërmetit të tmerrshëm që goditi Shqipërinë në 26 nëntor, e të përballur me pasojat e tij tragjike me 51 të vdekur, mbi 900 të plagosur, dhjetëra mijëra të pastrehë e dëme të panumërta qëndroj para jush për t’ju kërkuar ndihmë”.

“Cila është vërtetë fytyra më e bukur në Islam? Sipas Profetit të Zotit, paqja qoftë mbi të, të ushqesh atë që është në nevojë, të përshëndesësh, të shpëtosh ata që njeh e ata që nuk njeh. Një parim themelor që gjen jehonë përmes fjalëve të fisme të Profetit të përcjella nga Adi Ibn Hatim: Shpëtojeni veten nga zjarri i ferrit edhe duke dhënë në bamirësi vetëm gjysmë hurme”, – tha Rama.

Kryeministri Rama falënderoi “secilin prej vëllezërve tanë që deri tani kanë qenë shembëllim i kësaj fytyre dhe dua të falënderoj paraprakisht të gjithë ata prej jush që do të bëhen fytyra e këtyre fjalëve. Qoftë bamirësia juaj e pranuar”.

Rama tha se “shqiptarët e të gjitha besimeve e fushave të jetës, të pasur e të varfër, brenda e jashtë Shqipërisë, nga Tirana në SHBA, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës deri në pikat më të largëta të globit dhanë e vazhdojnë të japin gjithçka që kanë”.

“Mijëra e mijëra prej tyre kontribuan në fondet e solidaritetit pas katastrofës, duke na ndihmuar të mbledhim një vlerë prej dhjetëra mijëra, që për vendin tonë të vogël është shumë. Të moshuar me një pension vetëm 200 dollarë në muaj kanë ofruar strehë e ngrohtësi për fqinjët e pastrehë, nënat kanë liruar shtretërit e fëmijëve të tyre për jetimët, fëmijët në nevojë për një çati. Të rinj e të reja në diasporë kanë lënë shkollat, punët, për të ardhur e për të punuar vullnetarisht kudo që ka qenë nevoja në atdheun e tyre”, – tha Rama.

Kryeministri tha se gjithë ky solidaritet është një dëshmi e gjallë e poemës së mrekullueshme turke: Në pyjet e netëve me borë, fuqia jonë e çuditshme është kurajoja për të jetuar duke e ditur që do të vdesim.

“Megjithatë nuk ka nevojë të shpjegoj se i gjithë ky solidaritet brenda nesh pavarësisht sesa i madh është për zemrën e vendit është larg së qeni mjaftueshëm për atë që ka nevojë dhe ndihmë për të kapërcyer këtë tragjedi”, – tha Kryeministri Rama.

E pranoj, vijoi Rama, që të mos ishte për dy hadithe të mrekullueshme të Profetit do të kishte qenë thuajse e pamundur për mua të vija këtu para jush dhe të bëja këtë thirrje për ndihmë.

“Ja çfarë thonë ‘Njerëzit që Allahu do më shumë janë ata që janë të dobishëm për të tjerët dhe kushdo që ndihmon një njeri në vështirësi Allahu do ta lehtësojë nga vështirësia në ditën e ringjalljes”. Më lini të jem i qartë miqtë e mi unë nuk ofroj një ringjallje, por po kërkoj dritën në zemrat tuaja me besimin që shkrimtari turk Mehmet Murat Ildan kishte te drejtë kur shkroi se ”Drita më e çmuar është ajo që të vjen në orën më të errët”, nënvizoi Rama.

Më tej, kryeministri Rama , u shpreh “më lini të kërkoj falje nëse përsëris veten, por për të thënë të vërtetën kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve, fanarëve të saj. Mes dhimbjes së papërshkruar për jetët e humbura dhe për shkatërrimin që ka qenë thuajse apokaliptik në disa zona, Turqia e provoi edhe një herë që i përmbahet urtisë së saj, sepse nuk braktisi një mik e vëlla në nevojë edhe siç thotë edhe thënia e vjetër të ecësh me një mik në errësirë është më mirë se të ecësh i vetëm në dritë”.

“Për të gjithë këtë e për premtimin më shumë se fisnik të zotit President për të ndërtuar menjëherë 500 banesa për të gjithë mirësinë e mbështetjen përmes tij e popullit turk në tokën e plagosur të Shqipërisë kam ardhur këtu t’iu falënderoj dhe me përulësi t’iu kërkoj të gjithëve që të bashkoheni në këtë rrugëtim të dhimbshëm, por të paharruar”, – theksoi Rama.

Duke u ndalur në fjalët e Kuranit, Kryeministri Rama tha se “Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek dot tokën, pa lejen e Zotit, Kurani i madhërishëm gjithmonë na mëson gjithashtu se katastrofat natyrore janë sprova që i jepen njerëzimit në mënyrë që të pastrohet nga mëkatet e të pendohet”.

Rama shprehu dëshirën që katastrofa që po përballemi të kthehet në frymëzim, dhimbja që po ndiejmë ta kthejmë në forcë dhe shkatërrimi që ne po shohim të shndërrohet në një peizazh të bukur në të ardhmen.

“Duke iu bashkuar çdo mëngjes dhe darkë shqiptarëve të mi në lutjen “Zot mbaje dorën” nuk mund të resh së kujtuari e të menduari se tërmeti shkatërrimtar më i madhi që kemi pasur na ka sfiduar në mënyrë të pakrahasueshme me asnjë sfidë tjetër gjatë gjithë historisë modern. Ka përkulur qytetet tona më të rëndësishme Tirana dhe Durrësi”, tha Rama.

Kryeministri tha se, Durrësi është qyteti që udhëtari otoman e eksploruesi Evlija Çelebie përmend në librin e tij të udhëtimeve në 1670 për Limanin, portin e vet të rëndësishëm, rrënojat e kështjellës së rrënuar nga tërmeti i mëparshëm dhe xhaminë e mrekullueshme Fatihe ndërtuar për nder të Mehmet pushtuesit në 1502. Vite më vonë udhëtarë të tjerë do të përshkruanin bukurinë marramendëse të xhamisë Fatih e gjendur në një kodrinë hijerëndë e rrethuar nga tulipanë e narcisë, lulet e preferuara të tulipanëve.
Tani e njëjta xhami rrethohet nga rrënoja”.

Rama tha se “dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj do të arrijmë për Durrësin e të gjitha zonat e tjera të prekura nga tërmeti atë që Turqia bëri për Izmirin pas tërmetit shkatërrimtar të 1999”.

“Të dhënat tona paraprake janë tronditëse dhe shumica e ndërtesave të shkatërruara janë banesa të ndërtuara me ndërtime të dobëta nga periudha komuniste apo nga koha kur nuk ka patur, plan kontroll apo përgjegjësi. Shumica e këtyre ndërtesave janë struktura shumëkatëshe, ku secila prej tyre përmban dhjetëra familje. Kjo është arsyeja që edhe pse nuk kemi një shifër finale zyrtare pas shumë ndërtesave që po kontrollohen e inspektohen nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata turq, që janë ende në terren ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj çka është njerëzisht e përballueshme nga ne”, tha ai.

Pa kontribute nga jashtë, – sipas Kryeministrit Rama, – koha që do të na duhet për të shëruar plagët tona do të jetë shumë e gjatë për durimin që njerëzit mund të kenë dhe për frymën e shpresës në të ardhmen e vendit dhe koha me dimrin në Shqipëri dhe rrëmujën shpërqendruese të politikës ndërkombëtare është për fat të keq një komoditet që nuk e kemi.

“Megjithatë përtej debateve tokësore le të kemi besim në Hadithin e çmuar që i thotë gjithsecilit që do të dëgjojë se zoti pranon vetëm atë çka është e drejtë. Dhe ndërkohë që ju kërkoj ndihmë më lejoni t’i bëj thirrje ndjenjës suaj të dashurisë dhe mirësisë fjalë që kanë 50 sinonime në Kuranin e shenjtë, fjalë që askund nuk përshkruhen kaq bukur e në mënyrë kaq të gjithanshme sa në Librin e shenjtë”, tha Rama.

E më shumë se kaq, Rama tha se “Kurani i madhërishëm ka një përkufizim unik për bujarinë, një akt sinqeriteti ndaj krijuesit, çfarëdo që ju shpenzoni nga ajo që është e mirë, është për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për ata në nevojë e për udhëtarët. E çfarëdo që të bëni që është e mirë Allahu e di më së miri”.

“Duke iu kërkuar falje që ndërhyra në konferencën tuaj me një çështje kaq të rëndë e shqetësuese për një vend që shumica prej jush nuk e njohin e duke ndarë me ju të njëjtën bindje të atit themelues të këtij shteti të madh, Qemal Ataturk i cili besonte se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb gjymtyrë e këtij trupi ju falenderoj me zëmër për durimin falënderoj presidentin Erdogan për dhimbshurinë e tij”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com