Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banorët e sistemuar në Manëz, ku janë vendosur edhe 15 njësitë e parë të lëvizshme për banim.
I shoqëruar nga zv.ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, kryeministri Rama pa nga afër gjendjen e banorëve të sistemuar në Manëz, ku përveç strehimit sigurohet edhe asistencë psikologjike dhe aktivitete të ndryshme sociale për fëmijët.
Çuçi informoi se në Manëz janë montuar 15 njësitë e para të lëvizshme të banimit, ku janë akomoduar deri tani 81 persona, ose afërsisht 27 familje, që ishin më parë në çadra.
Njësitë e banimit, sipas Çuçit, janë të kompletuara me kanalizime të ujërave të zeza, të ujërave të bardha, me elektricitet dhe kondicionerë në çdo shtëpi.
Ndërkohë sipas saj, pritet edhe montimi i 10 njësive të tjera lëvizëse të banimit pranë qendrës shëndetësore.
Çuçi informoi po ashtu se janë shpërndarë mbi 40 çadra dimërore për familjet në zonat e largëta rurale. Sipas saj, çadrat kanë ardhur nga Izraeli.
Kryeministri pa nga afër kushtet e banimit në këto njësi të lëvizshme, ku janë akomoduar familje me foshnja të vogla e fëmijë, si dhe me të moshuar.
Në bashkëbisedim me një të moshuar, Rama tha se “secili ka detyrat e veta në këtë botë, ca të shkatërrojnë ca të ndërtojnë, ca të prishin ca të rregullojnë, ca t’ia fusin kot, ca ta bëjnë tamam, por siç thotë ajo shprehja ‘bylmezi e gjen vetë rrugën e humbjes”.
Kryeministri vizitoi po ashtu edhe ambientet e shkollës së Manzës, e cila është kthyer në një qendër për fëmijët, që përveç aktiviteteve marrin edhe 3 vaktet e ushqimit.
Përveç stafit arsimor, aty janë angazhuar edhe dhjetra vullnetarë nga “Save the Children”, UNICEF etj për të bërë të mundur tejkalimin e kësaj situate. /atsh