Loading...

Qira nga shteti për 1 mijë familje, Rama: Kontrata për 1 vit të garantohet nga bashkia

922 nga 1 mijë familje me banesa të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë, kanë përfituar deri tani bonusin e qirasë për një periudhë deri në 1 vit.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot një familje në Sauk, e cila është sistemuar në një banesë me qira që paguhet nga shteti.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj u shpreh se “këto familje ishin në çadra fillimisht, por pas vendimit të qeverisë janë sistemuar në shtëpi me qira, duke mbyllur kështu pjesën e emergjencës”. “Kryesisht kemi rreth 180 familje nga konviktet e Qytetit Studenti dhe shtëpitë e vjetra të Saukut që janë dëmtuar”, – tha ai.

Veliaj tha se “janë 922 familje nga 1 mijë të tilla që janë paraqitur, ose 92,2%. Pjesa tjetër rreth 8%, sipas tij, “ndoshta mund të jenë jashtë Tirane meqë edhe shkolla nuk ka nisur, pasi është një pakicë e vogël që e kemi identifikuar te rastet e dëmtuara dhe nuk janë paraqitur”.

Kryeministri Rama tha se “shteti mbulon 100% qiranë deri në 1 vit dhe njerëzit të zgjedhin vetë se ku do të rrinë”. “Është bërë përcaktimi i familjeve që të mos ketë spekulime e mashtrime. Kështu në zonat urbane kjo çështje mbyllet komplet, ndërsa në zonën rurale është pak më e ngatërruar, pasi njerëzit duan të rrinë pranë banesave të tyre sepse e kanë jetën të lidhur e tokën dhe gjënë e gjallë”, – tha Rama.

Banorët që përfitojnë nga pagesa e qerasë e marrin atë përmes postës, por Kryeministri kërkoi që bashkia të dalë garant, dhe për këta banorë të lidhet kontratë qiraje. “Duhet garantuar që të bëhet kontrata e qirasë. Mos të vijnë nesër e të thonë është rritur qiraja. Bashkia duhet të jetë garanti i kontratës që këta të mos fillojnë dhe të thonë nesër që ka shumë kërkesa dhe dil jashtë. Kontrata është 1-vjeçare, ose 6 muaj me të drejtë rinovimi deri në 1 vit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk ka qeveri në botë që të jetë e pakritikueshme, por situata ishte kaq e rëndë në raport me popullsinë dhe territorin sa që me një gjë të tillë tundet Amerika, jo Shqipëria”.

Por, Kryeministri Rama vlerësoi se “në pjesën më të madhe gjërat janë bërë mirë”. “Ka pasur edhe probleme, por nuk është kollaj, është gjithë kjo ndërhyrje. Të gjithë kanë qenë ditë-natë dhe janë akoma në terren. I kanë harruar fëmijët e tyre, por kuptohet që televizionet nuk e kanë mendjen tek ana pozitive, por duan vetëm të kapin një gjë dhe ta bëjnë qimen tra”, – tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com