Jeta në qytetin bregdetar po i rikthehet normalitetit ku buzëqeshja në fytyrat e qytetarëve dhe sidomos tek fëmijët duket si dritë pas zymtësisë të 26 nëntorit.
Në strukturat hoteliere në Durrës ku janë akomoduar të prekurit nga tërmeti, fëmijët duken se e kanë lënë pas situatën e vështirë dhe po argëtohen mes lojërave, vizatimeve dhe shoqërisë që kanë krijuar me njëri-tjetrin.
Në një nga këto hotele sot fëmijët shijuan një ditë ndryshe plot aktivitete argëtuese ku vullnetarë të shumtë të veshur si personazhe vizatimor i rikthyen buzëqeshjen atyre pas ditëve të vështira.
“Fëmijët e strehuar në hotelin Albania Star në një ditë plot aktivitete argëtuese. Nuk ka asgjë më të bukur se sa buzëqeshja e tyre pas ditëve të vështira. Rikthimi në normalitet është i ngadaltë dhe i vështirë, por aspak i pamundur! Bashkë do t’ia dalim”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.
Në të gjitha hotelet ku janë akomoduar të prekurit nga tërmeti po zhvillohen aktivitete të ndryshme argëtuese për fëmijë të cilat po i rikthejnë këta fëmijë drejt normalitetit, bukurisë dhe pafajësisë së moshës së tyre. /atsh