Loading...

Rama me Pacollin pranë banorëve të prekur nga tërmeti në Krujë: “Ka nisur puna për projektin e pallateve të reja”

Kyeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zv. kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni si dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor, vizitoi mbrëmjen e së enjtes, banorët e prekur nga tërmeti në qytetin e Krujës, ku bëri të ditur se, ka nisur puna për të bërë projektin e pallateve të reja që do të ndërtohen.

Banorët i treguan kryeministrit që inspektorët e huaj, pas verifikimit të banesave kanë konstatuar 6 pallate me probleme në strukturë dhe që janë për t’u shembur. Ndërsa objektet e tjera kanë dëmtime që mund të riparohen.

“Do të gjejmë një zonë për t’i ndërtuar të gjitha bashkë këto pallate, që janë konstatuar për t’u prishur”- tha Rama, ndërsa iu drejtua Pacollit se në rastin konkret përveç donacionit që ka dhënë, mund të kontribuojë edhe vetë drejtpërdrejt me kompaninë e ndërtimit.

“Bëni projektin që ta integrojmë në planin e rindërtimit dhe ta ndërtoni vetë. Me shumën financiare që ka vënë në dispozicion Behgjeti, ne mund të ndërtojmë pallatet në Krujë. Pasi me banorët e Thumanës, do të përpiqemi t’i sjellim në Tiranë, ndërsa në Laç kemi nisur të projektojmë me një kompani turke. Ndërsa këtu në Krujë është tamam mundësia e realizimit të një projekti me vlerën e donacionit që ka dhënë Behgjeti” – tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se procesi duhet të jetë i shpejtë referuar edhe problematikës në Krujë e Fushë-Krujë të mungesës së banesave me qira. Kryebashkiaku Artur Bushi tha se bashkia do të paguajë qiranë për të gjithë, edhe nëse ata mund të sistemohen pranë të afërmve të tyre në qytet. Në të kundër, bashkia do t’i paguajë qiranë në banesa në Tiranë dhe do të shlyejë gjithashtu edhe transportin.

Nga ana e tij, Pacolli u shpreh i gatshëm për të ndërtuar komplekse banimi model.

Zv.kryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dhuruar 1 milionë euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri dhe do të ndërtojë vetë banesa për ata që u prekën nga tërmeti. Si një ndërtues me eksperiencë në këtë fushë, Pacolli sugjeroi që në qytetin e Krujës, pallatet dhe shtëpitë e shembura të ndërtohen në pjesën e poshtme të qytetit, duke i dhënë hapësirë zonës turistike. Por në të njëjtën kohë duke i afruar banesat me shkollat, kopshtet e çerdhet.

Gjatë këtij bashkëbisedimi me qytetarët, Kryeministri Rama i informoi ata se, të gjitha pallatet që nuk bëhen më do të ndërtohen të reja. Ndërsa opcioni i qirasë duhet parë edhe ku ka dhoma bosh, dhe ne i paguajmë qiranë. “Se të ikin e të vijnë nga Tiranë, i kanë fëmijët në shkollë”, tha ai.

Në takim ishte e pranishme edhe deputetja e zonës, Egalntina Gjermeni, për të cilën Rama u shpreh: “Meriton njëmijë urata për shërbimin e përulur, që u ka bërë krejt larg syve të medias familjeve të mbledhura në kampin e Thumanës, pa pushim e pa iu ndjerë zëri, së bashku me rrjetin e vajzave vullnetare, krahas trupave të shtetit”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com