Loading...

Shqipëria pas tërmetit – Rama në “Porta a porta”: “Mirënjohje trupës italiane të mbrojtjes civile”

Kryeministri Edi Rama tha sot në studion e emisionit “Porta a porta” në Raiuno se është mirënjohës për të gjithë ata që ndihmuan Shqipërinë që në momentet e para të goditjes nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit në Shqipëri.

Kryeministri Rama tregoi sesi pak para orës 4 të mëngjesit të së martës së 26 nëntorit, kur goditi tërmeti, ai kishte dërguar mesazhe të gjithëve. “Solidariteti që në çastin e parë u aktivizua nga Italia dhe u jam mirënjohës trë gjithëve”, theksoi Rama.

“Grupi i parë erdhi nga Italia. Një falënderim të veçantë për trupën e mbrojtjes civile, ata janë heronj të vërtetë, rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve”, theksoi kryeministri Rama.

Drejtuesi i emisionit “Porta a porta”, Bruno Vespa prezantoi faqen e internetit e-Albania në të cilën kush dëshiron mund të kryejë dhurime për lehtësimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri.

Vespa prezantoi edhe një insert me pamje nga pasojat e tërmetit dhe dëshmi të të mbijetuarve.

Një prej të mbijetuarve tregoi për Raiuno sesi e kishin nxjerrë nga gërmadhat, sikundër edhe një fëmijë tregoi sesi i kishte rënë një copë betoni në këmbë.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, 5 mijë të plagosur, 5 mijë ndërtesa të dëmtuara e janë me mijëra personat që kanë mbetur pa shtëpi.

Ndërhyrja e trupës kombëtare italiane të zjarrfikësve ishte e menjëhershme. 175 njerëz erdhën në Shqipëri që në mëngjesin e së martës, nisën operacionet e kërkim-shpëtimit.

Inserti përcolli edhe mirënjohjen e shqiptarëve ndaj ndihmës italiane për pasojat e tërmetit.

Ndërkohë, Vespa e pyeti kryeministrin në lidhje me humbjen nën rrënoja të së fejuarës së të birit, Kristi Reçit.

“Është e vërtetë, por më lejoni të them që duke u gjendur në këtë situatë me këtë detyrim shumë të lartë për të qenë kryeministër i një vendi që po kalon këtë tragjedi, nuk kam dashur të flas për këtë pasi nuk ka të bëjë me mua apo me familjen tonë, por me të gjithë. Kjo thjesht e shtoi detyrimin tim të brendshëm për të bërë gjithçka. Nuk bëj dallim mes gjithë atyre që kanë humbur jetën”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama solli përjetimet e dy fëmijëve që kishin fluturuar nga katet e larta të pallateve ku jetonin dhe i kanë mbijetuar tërmetit.

“Ai fëmijë ka zgjedhur të fluturonte nga kati i pestë. U hodh dhe jetoi. Ai është heroi i këtij tërmeti bashkë me një mikun e tij që u hodh nga kati i tretë. Janë dy djem të mrekullueshëm. Kur e pyeta si ndodhi që u hodh nga kati i pestë, më tha: Idhulli im është Kristiano Ronaldo. Përbën një çast frymëzimi bashkë me frikën e gjithçka tjetër që solli tërmeti. Qe një çast i dhimbshëm por edhe moment shprese e jete në këto ditë mjaft të errëta për Shqipërinë”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com