Loading...

Vlorë – Ilda Lelo dhe Edi Shehaj shkëlqejnë në ‘Kick Box’

“Nata e Kampionëve” u mbajt në pallatin e sportit “Flamurtari”, ku u zhvilluan 11 përballje në sportin e “KickBoxit”.

Spikatën dy sfidat më kryesore, ku respektivisht luhej titulli “Kampion Bote” për meshkuj, si dhe “Kampione Europe” për femra. Emocionues e i jashtëzakonshëm evenimenti, që prej fillimit të tij e deri në fund, ku u shpallën edhe kampionët.

Edi Shehaj, kikboksieri vlonjat ka mbrojtur sërish titullin e kampionit të botës të cilin e fitoi në vitin 2018, duke treguar përsëri një formë fantastike. Kësaj radhe ai u ndesh ndaj turkut Omer Faruk Duran, për peshën 70Kg.

Pesë raunde nga tri minuta kishin në dispozicion kickboksierët, por djaloshit vlonjat Edi Shehaj, i janë dashur vetëm tri raunde për t’ia bërë të pamundur vijimin e garës kundërshtarit të tij, pasi turku u tërhoq në raundin e tretë, pas një përballjeje tejet të luftuar e intensive. Në anën tjetër, Ilda Lelo është shpallur kampione Europe teksa arriti të mposhtë kundërshtaren e saj, po nga Turqia, Sinem Sare.

Pas tri raundesh vlonjatja arriti të shpallet fituese e të rrëmbejë titullin kaq shumë të merituar, por njëkohësisht shumë të dëshiruar. Lelo konfirmohet sërish si një luftëtare e shkëlqyer në artet marciale, duke mos e zhgënjyer publikun vlonjat. Pas këtij aktiviteti, trajneri i “Fight Club Vlora” Alban Alikaj, i cili i ka stërvitur vazhdimisht këta sportistë, shprehet tejet i lumtur për titujt e fituar, por njëkohësisht ky është një shpërblim për gjithë sakrificat e bëra gjatë gjithë vitit, ku sportistët janë stërvitur me shumë përkushtim dhe seriozitet, duke e kurorëzuar me sukses punën e tyre.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com