Një nga ata që ishin me fat pasi arritën të dalë i gjallë nga rrënojat e tërmetit tragjik të mëngjesit së të martës së kaluar ishte edhe Klajdi Qato, 25 vjeç, i biri i pronarit të hotelit “Vila Palma”, i shembur plotësisht. Nga rrënojat u nxor i pajetë 85-vjeçari Sadik Qato, gjyshi i tij.
Pas 21 orësh, Klajdi Qato arrin të dalë i gjallë nga rrënojat, me një plagë fare të vogël në kokë. Në një intervistë ekskluzive për Top Story, Klajdi rrëfen 21 orë të ferrit, mes rrënojave, errësirës dhe mungesës së oksigjenit.
“Në moment që rashë kuptova që isha mirë, pata një shpresë në vetën time se do ia dal. Në moment të parë që rashë vazhdova heqjen e inerteve afër vetes, të hapej sa më shumë pjesa ajrit dhe çdo gjë shkoi mirë”, tregon për Top Story Klajdi Qato
Për orë e orë me radhë, zjarrfikësit shqiptarë gërmuan mes inerteve. Gjithçka bëhej me ritme të ngadalta për të shmangur shembjen e mëtejshme të platformave që mund të rrezikonin seriozisht jetën e të riut.
“Më pas ata arritën deri diku, që të afroheshin afër meje, më pas erdhi ekipi grek që ishin të mrekullueshëm. Nuk e besoja kurrë se mund dilja pa ata nga aty”, rrëfen Klajdi Qato
Kontakti fizik me të ishte një moment mjaft i rëndësishëm. Por, duheshin ende orë për të mundësuar nxjerrjen e tij të sigurt. Gjendja psikologjike e Klajdit vetëm sa rëndohej me kohën.
“Gjatë gjithë kohës që qëndroja deri te hapja e tunelit tek unë, isha në komunikim të vazhdueshëm me doktorin dhe njerëzit jashtë”, – rrëfen Klajdi.