Loading...

Rama: Shqipëria e plagosur kaq keq do të ringrihet më e fortë nga kjo tragjedi

“Shqipëria e plagosur kaq keq do të ringrihet më e fortë nga kjo tragjedi që na rrëzoi të gjithëve pa mëshirë”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Para nisjes drejt Londrës ku do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, Kryeministri Rama iu drejtua përmes një videomesazhi, të gjithë shqiptarëve, veçanërisht banorëve të dëmtuar nga tërmeti.

“Miqtë e mi! Detyra ma kërkon të largohem sot drejt Londrës për Samitin e NATO-s dhe nuk do të mund të jem sot dhe nesër. Me të mbaruar Samiti, nesër pasdite do të fluturoj për Tiranë, por me një ndalesë në Romë, ku do të jem në emisionin ‘Porta e Porta’ për situatën dhe do të kërkoj solidaritet nga shtëpia jonë e dytë, Italia”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, me të mbaruar do të kthehet menjëherë natën për mbledhjen e zakonshme të orës 7 të qeverisë, dhe seancën e rëndësishme të parlamentit, ku do të kalojmë buxhetin e rishikuar për nevojat bazike të krizës humanitare që krijoi tërmeti.

Padiskutim, tha Rama, që Samitin e NATO-s do ta shfrytëzoj me sa të mund për të folur nga afër për ju me miqtë dhe kolegët e mi Presidentë dhe Kryeministra të shteteve anëtare të NATO-s.

“Ndërkohë, asnjë merak për këto 24 orë sepse do të jemi në komunikim dhe në terren gjithçka do të vazhdojë njësoj sipas planit. Ju më keni parë mua gjithë kohës, por pa skuadrën e ministrave, të zv/ministrave, të drejtuesve vendorë, drejtuesit e institucioneve, punonjësit dhe miqve të angazhuar që po tregohen realisht fantastik këto ditë në përballimin e kësaj furtune të paparë hallesh, ankthesh, nevojash njerëzore, unë nuk do të bëja dot kurrë as çerekun e çerekut të punës, që po bëhet”, tha Rama.

Kryeministri tha se “valët e tërmetit janë ulur thuajse fare dhe dalja nga kriza e përgjithshme psikologjike ka nisur”.

Sistemimi i njerëzve në nevojë dhe të pastrehë, sipas tij, “do të vazhdojë duke u përkujdesur për çdo familje, apo individ që është në hall”.

“Hotelet do të mikpresin deri në nevojtarin e fundit qytetarët nga zonat urbane, ndërsa ata nga zonat e fshatit, që me të drejtë nuk lëvizin dot nga toka dhe nuk ndahen dot nga gjëja e gjallë që kanë, do të vijojmë t’i pajisim me çadra për së mbari që të përballojnë dimrin”, tha Rama.

Por, vijoi sa, “të më falin të gjithë ata që ende nuk janë sistemuar si duan, nëse u përsëris lutjen për durim”. Ne, tha Kryeministri, nuk po rrimë duarkryq, ne nuk po bëjmë me sikur dhe as kemi ndërmend të flemë gjumë pa mbuluar me strehë nevojtarin e fundit dhe pa nisur dhe përfunduar për të gjithë programin e rindërtimit dhe të akomodimit përfundimtar në një banesë më të mirë se ajo që kishte para tërmetit.

“Por ju lutem durim dhe ju përgjërohem sa më pak televizor, hiç portale dhe qenefe dixhitale, mundësisht hiç fare. Ndjesë për gjuhën, por të keqen e qenefit në fakt kur sheh se çfarë ere të rëndë mërzie, pasigurie, pështjellimi dhe përzierje krijojnë të ashtuquajturat burime informimi dhe se sa të pakta janë pasqyrimet njerëzore dhe arsyetimet shkencore në panairin mediatik të Shqipërisë, por për fat të keq njësoj edhe të Kosovës”, tha Rama.

“Përqafime të gjithëve dhe kurajo e shpresë se çfarë nuk të vret të bën më të fortë. Një fjalë e mençur thotë: Lavdia më e madhe nuk është të mos rrëzohesh asnjëherë, por të ringrihesh sa herë të rrëzohesh. Dhe ma besoni, e ndiej fort këtë: Shqipëria e plagosur kaq keq do të ringrihet më e fortë nga kjo tragjedi që na rrëzoi të gjithëve pa mëshirë”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com