Kryetari i Partisë Demokratike ka vizituar sot të dëmtuarit nga tërmeti në Bubq, ku ka propozuar planin e Partisë Demokratike me 3 pika që duhet vepruar urgjent nga qeveria.
“Me qindra qytetarë kalojnë netët jashtë prej një jave pa asnjë siguri nëse mund të futen në banesat e tyre. Gjendja vazhdon të rëndohet për ta dhe për mijëra familje në të tre qarqet e goditura Durrës, Tiranë dhe Lezhë”, u shpreh ai.
Po ashtu, Basha shprehet se tani është momenti të veprohet me shpejtësi dhe për këtë qëllim ky është plani që ai propozon:
“Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht, me qëllim për të përshpejtuar vlerësimin e banesave. Kjo kontribuon për qetësimin e gjendjes dhe sigurimin e jetës së qytetarëve. Vlerësimin me urgjencë të banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara. Qeveria në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të anulojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’ju dhënë 10 oligarkëve, dhe këto fonde t’u akordohen mijëra familjeve në nevojë, për riparimin dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara apo të shkatërruara. Reagimi i shpejtë për të vlerësuar dëmet, dhe lëvrimi i fondeve për riparim dhe rindërtim do të ndihmojë në tejkalimin e traumës dhe rikthimin në normalitet”./atsh