Loading...

Sizmologu nga Maqedonia e Veriut: S’ka vend për panik, i kënaqur për strukturën inxhinierike në Shqipëri

Ekspertë të njohur të sizmologjisë po qetësojnë qytetarët duke u shprehur se situata më e rëndë ka kaluar.

Gjatë një interviste televizive profesori i njohur për Sizmikën dhe Tërmetet nga Maqedonia e Veriut, Mihail Garevski deklaroi se tashmë mund të ketë pas-lëkundje të vogla, por paniku ka kaluar.

Gjithashtu Garevski tha se, “jam i kënaqur për strukturën inxhinierike në Shqipëri. Nuk them se janë në kushte jashtëzakonisht të mira, por një tërmet me një magnitudë kaq të madhe, viktimat mund të ishin edhe më të mëdha, pasi ishte me një fuqi tepër të madhe”.

Profesor Mihail Garevski theksoi se, “tronditja kryesor besoj e shpresoj ka ikur. Shpresojmë që ky është tërmeti më i madh, ndoshta edhe lëkundje mund të ketë, por më të vogla se magnituda 4.0. Mund të ketë magnitudë 4 ose 4.5, por jam i sigurt që nuk ka vend për panik. Tashmë besoj se toka sa vjen e qetësohet”.

Profesori tha se është e vështirë të parashikohen tërmetet sepse askush nuk e parashikon dot tërmetin.

Garevski tha se, ” zakonisht në këtë rajon, siç ndodhi edhe në Shkup më 1963, pas tërmetit të fuqishëm kishte lëkundje, e më pas toka u zbut. Edhe më 1979 në Mal të Zi kishte magnitudë 7.4, kishte disa pas-lëkundje e më pas situata u qetësua”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com