Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nevoja për të krijuar një bazë solide për operacionin e financimit të gjithë operacionit të rindërtimit është e madhe, dhe po ashtu edhe domosdoshmëria për të garantuar që të gjitha familjet të targetohen sipas nevojës dhe që procesi të mos marrë vite e vite si në vende shumë më të fuqishme se ne”.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri Rama njoftoi se sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit.
Rama tha se “në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësues nga qeveria, përfaqësuesit e organizatave solidare për njerëzit në nevojë që kanë grumbulluar sasi të konsiderueshme kontributesh financiare, me përfaqësuesit e shoqatës së ndërtuesve, shoqatës së inxhinierëve, shoqatës së arkitektëve, me Dhomën e Tregtisë, Fondin e Zhvillimit, përfaqësues të shoqatës së sipërmarrësve në sferën e tregtisë”.
Kryeministri theksoi se “Komiteti do të fillojë procesin e diskutimit dhe harmonizimit të përpjekjeve që kontributet e mbledhura të shtohen në mënyrë që procesi i planifikimit të harmonizohet.
“Ministria e Financave dhe kryetari i Komitetit Kombëtar bashkarisht po punojnë me një ekip ekspertësh për rishikimin e buxhetit në funksion të këtij prioriteti të prioriteteve”, tha Rama.
Ai vlerësoi reagimin e partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare, që në këtë moment është goxha inkurajues.