Loading...

Rama viziton në spital dy fëmijët Aurelin dhe Alesion: Historia e tyre na detyron t’i quajmë trima me fletë

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar mbrëmjen e sotme në Spitalin e Traumës dy fëmijë, Aurelin dhe Alesion, të cilët kishin marrë lëndime nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Dy fëmijët sipas ministres së Shëndetësisë kishin kërkuar që t’i vizitonte kryeministri dhe Rama nuk nguroi që të shkonte për t’u lehtësuar dhimbjen nga trauma që përjetuan edhe pse ende nuk e dinë se kanë humbur njerëzit e tyre të afërt.

“Aureli dhe Alesio, që nga mosha quhen fëmijë, ndërsa historia e tyre na detyron t’i quajmë trima me fletë”, u shpreh Rama duke uruar që Zoti u qëndroftë mbi kokë tërë jetën, pas kësaj që kaluan si heronj me forcën e tyre të paimagjinueshme.

“Aureli fluturoi nga kati i tretë, ndërsa Alesio nga i pesti, për të vazhduar të jetojnë gjatë, duke i mbijetuar goditjes së tmerrshme mbi familjen dhe pallatin e tyre të vjetër në Thumanë”, shprehet Rama.
Kryeministri u premtoi dy vogëlushëve, tifozë të Milanit dhe Juventusit, se do u sjellë respektivisht nga një bluze, njërën me firmën e portierit Donaruma dhe tjetrit me firmën e Cristiano Ronaldos.

Lëndimi që kishte marrë njëri nga fëmijët kishte ardhur si pasojë e hedhjes nga kati i pestë. Rama iu drejtua atij duke i thënë se do e marrë në shtëpi e do e bëjë shok me djalin e tij, Zahon./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com