Loading...

Ambasada italiane qytetarëve të saj: Referohuni vetëm komunikimeve zyrtare të Shqipërisë

Ambasada Italiane në Tiranë ka ftuar të gjithë nënshtetasit italianë që ndodhen në Shqipëri që t’i referohen vetëm komunikimeve zyrtare të shpërndara drejtpërdrejtë nga organet shtetërore shqiptare dhe nga rrjeti diplomatik Italian në Shqipëri.

Me këtë rast Ambasada e Italisë ka theksuar se ata mund të kërkojnë ndihmë tek numrat e emergjencës të Ambasadës italiane.

Një audio-fake në italisht, që qarkullon në whatsapp dhe në mediet sociale shkaktoi alarm në Durrës. Zëri i një burri që flet italisht, i bën të ditur një personi imagjinar i cili banon në Durrës se duhet të largohet nga katet e sipërme të banesave, pasi, “sipas ushtarakëve”, një tjetër tërmet “gjatë natës” mund të shkaktojë në Durrës shumë dëme “për shkak të shiut”.

Audioja nisi të qarkullonte që nga dita e djeshme dhe parashikimi-fake i referohej natës së mbrëmshme, gjatë së cilës nuk u regjistrua asnjë tërmet i fuqishëm. Por lajmi u shpërnda vetëm sot dhe u shpërnda në mënyrë virale, duke krijuar alarm krejtësisht pa baza.

Lajmi është “fake” dhe duket nga shumë elemente mbi të gjitha, ushtarakët në asnjë vend, aq më pak italianët, nuk merren me tërmete, që janë kompetencë ekskluzive e sizmologëve. Dhe pastaj, shiu nuk ka asnjë efekt mbi ndodhjen e tërmeteve, madje shpesh para apo mbas tërmeteve bien shira të dendur e kjo nuk ndryshon asgjë.

Në audion-fake i referohen edhe lajmit, të vërtetë, që për shkak të tërmetit, toka në Durrës është ngritur 10 centimetra. Por ky është një fenomen natyror, që ndodh saktësisht gjatë çdo tërmeti dhe nuk tregon në asnjë mënyrë se do të pasojnë lëkundje të tjera.

Të gjithë ekspertët italianë e shqiptarë konfirmojnë se lëkundja kryesore e 26 nëntorit do të pasohet nga të tjera lëkundje, por të gjitha me fuqi më të vogël dhe se, pra, rreziku kryesor ka kaluar. Kështu, thirrja për popullatën është se duhet ti shpërfillë këto lajme të rreme dhe të kthehet nëpër shtëpi, me përjashtim të atyre, shtëpia e të cilëve është e pabanueshme./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com