Papë Françesku drejtoi sot lutjet, nga Selia e Shenjtë, për Shqipërinë. që u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4.
“Dëshiroj të përshëndes dhe të tregoj afërsinë time ndaj popullit shqiptar, i cili ka vuajtur shumë në këto ditë”, u shpreh Ati i Shenjtë.
“Shqipëria ka qenë vendi i parë i Europës, që kam dashur ta vizitoj. U jam pranë viktimave, lutem për të vdekurit, të lënduarit dhe familjet. Zoti e bekoftë këtë popull, që unë e dua shumë”.
Menjëherë pas thirrjes së Papë Françeskut për lutje, Vatikani dërgoi një telegram ngushëllimi nëpërmjet kardinalit Pietro Parolin, sekretari i Shtetit të Vatikanit.
Në mesazh thuhet se Papë Françesku lutet që ekipet e emergjencës të bekohen me forcë në përpjekjet e tyre për ndihmë dhe ia beson popullin e Shqipërisë providencës së dashur të të Plotfuqishmit./atsh