Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo është barra jonë prandaj kemi filluar që dje me ministrin e Turizmit, të punojmë për një marrëveshje me të gjithë strukturën hoteliere të Durërsit dhe Kavajës për ti akomoduar të gjitha familjet pa çati”.
Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Rama theksoi se “gatishmëria ka qenë shumë e madhe, kjo nuk është çështje e një jave apo një muaji, këto familje nuk kanë nevojë për një javë apo një muaj, kanë nevojë për shumë më tepër prandaj nuk mund ta mendosh jo më ta provojmë që sipërmarrësve të hotelerisë tu kërkojmë që me shpenzimet e tyre individuale të mbajnë infrastrukturën hoteliere me muaj të tërë në dispozicion pa pasur asnjë mbështetje financiare”.
“Nga ana tjetër ne nuk mund te pranojmë që familje, të moshuar, fëmijë, gra të kalojnë dimrin në tenda është e pakonceptueshme, apo t’ua lëmë si barrë familjeve të tjera, që kanë shprehur solidaritet mund ta bëjnë këtë gjë nuk mund të kalojnë një periudhë, relativisht të gjatë me një barrë të tillë”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “këtë herë dua të them shumë qartë nuk do të lëmë asnjë familje që do të kërkojë të qëndrojë në infrastrukturën e rrezikshme dhe teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk dal nga oborri nuk do funksionojë”.
“Është një fakt që të gjitha shtëpitë, për shembull që në qarkun e Tiranës kanë rezultuar të dëmtuara por të riparueshme nga tërmeti i parë sot janë jashtë funksionit nuk janë më të riparueshme, por duhen rindërtuar. Që do të thotë që numri i familjeve që kanë nevojë për strehë nuk është i vogël. Natyrisht kjo do të kërkojë një angazhim ekstra për të cilin kemi filluar punë me ministren e Infrastrukturës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor që të kemi një organizim të transportit për fëmijët që duhet të shkojnë në shkollë dhe nga ana tjetër me Ministren e Arsimit për të ofruar një asistencë për këta fëmijë në periudhën jashtë shkollës apo për të krijuar klasat në vijën akomoduese të bregdetit të Durrësit, Kavajës duke iu dhënë mundësi këtyre familjeve që të jetojnë në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale dhe ti kalojën festat e fundvitit në kushte më optimale”, – nënvizioi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se mos harrojmë që pjesa më e madhe e këtyre familjeve janë familje të varfra.
“Kjo fatkeqësi, e kemi parë në terren gjerë e gjatë sepse çdo minutë ka qenë një orë, ka goditur pjesën më të dobët , hallkën më të dobët familjet më të varfra shtëpitë e vjetra apo të ndërtuara thjesht për të futur kokën pa standarde sigurie të mjaftueshme”, – tha Rama./atsh