Institucionet e qeverisjes vendore, janë angazhuar dhe kanë nisur të mbledhin ndihma në ushqime, veshmbathje dhe pajisje të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë zonave më të prekura nga tërmeti, që goditi të martën Shqipërinë.
Bashkia e Korçës ka nisur drejt zonave të prekura nga tërmeti mjete, grupe të emergjencave për t’u ardhur në ndihmë të gjithë të dëmtuarve. Ndërsa punonjës të Shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit nga Zjarri, pranë Bashkisë Maliq, janë nisur mëngjesin e së martës drejt qytetit të Durrësit, për të ndihmuar banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore që goditi më rëndë Durrësin dhe Tiranën.
Solidaritetit me të prekurit nga tërmeti i janë bashkuar edhe Bashkitë Tiranë, Ura Vajgurore, Vlorë, Fier, Lezhë etj.
Përveç ndihmës me mjete dhe forca në njerëz të dërguara në zonat e prekura në operacionet e shpëtimit në terren, Bashkia Tiranë ka miratuar një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës dhe në mënyrë të posaçme për Thumanën.
Ndërsa në Bashkitë Ura Vajgurore, Fier qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së bashkive, për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti. Ndihmat kanë qenë të shumta, në ushqime, veshmbathje dhe vlera monetare dhe fluksi i qytetarëve vijon të shtohet.
Ndërkohë që janë aktivizuar disa llogari bankare në bankat e nivelit të dytë, për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar popullin e prekur nga tërmeti./atsh