Ministri i Punëve të Jashtme, të Greqisë, Nikos Dendias deklaroi se, Greqia është një nga vendet e para, nëse jo e para, që ofroi ndihmë dhe njohuri teknike pas rënies së tërmetit në Shqipëri.
Ministri i Punëve të Jashtme, të Greqisë, Nikos Dendias dha një intervistë për televizionin ANT1 ku foli për situatën në Shqipëri dhe ndihmën e ofruar nga Greqia.
Ai theksoi se: “Në fillim shkova me Kryeministrin, z.Rama dhe Ambasadoren tonë këtu, znj. Filippidou, në Durrës. Shkuam drejt e në pikën e shembjes së ndërtesave, madje vëzhguam përpjekjet për të nxjerr viktimat”.
“Vendi ynë, me urdhër të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ka dërguar dy njësi të EMAK, të cilat tashmë po veprojnë. Greqia është një nga vendet e para, nëse jo e para, që ofroi ndihmë dhe njohuri teknike, sepse për fat të keq ne kemi përjetuar tërmete, siç e dini mire”, tha Dendias.
Ne, vijoi ai, “po bëjmë gjithashtu gjithçka që mundemi për të ndihmuar qeverinë shqiptare për të pasur kontakt me Bashkimin Europian, Autoritetin Europian të Mbrojtjes Civile, përmes Komisionerit të saj qipriot, z. Stylianidis, për të ndihmuar qeverinë shqiptare të trajtojë nevojat e mëdha në këto momente të vështira”.
“Ka pasur katastrofa të përhapura, shumë njerëz janë jashtë shtëpive të tyre në kampe në natyrë, brenda një stadiumi të ngritur nga qeveria shqiptare. Por, siç e dimë nga përvoja jonë, këto janë gjëra jashtëzakonisht të vështira për t’u trajtuar”, u shpreh ai.
“Tërmeti ishte shumë i madh, ishte rreth dhjetë milje larg bregut, në një thellësi të vogël nga sipërfaqja – kjo ishte ajo që më tha kryeministri shqiptar, me të cilin vizitova pikat e katastrofës. Në përgjithësi ka pasur një katastrofë shumë të gjerë në Shqipëri”, theksoi Dendias./atsh