Loading...

Rama në Thumanë, pranë banorëve të prekur nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Thumanën, një prej zonave më të prekura nga tërmeti që goditi vendin mëngjesin e sotëm.

I shoqëruar nga zv.kryeministri Erion Braçe dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ai ka takuar dhe ka biseduar me banorët të cilëve u janë shembur banesat nga tërmeti i fuqishëm që goditi mëngjesin e sotëm. Banorët kanë treguar se kanë ende njerëz nën rrënoja.

“O shpirt i motrës, o pëllumb’…Më nxirrni vëllanë me nusen”, u shpreh një banore e Thumanës e cila kërkoi ndihmë për nxjerrjen e familjarëve nga rrënojat.

Në Thumanë po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilave u janë bashkuar edhe ekipet e specializuara të Emergjencave Civile të Italisë dhe Greqisë.

Pasojat e tërmetit të fortë që goditi vendin mëngjesin e kësaj të marte janë të rënda në Thumanë. Shembja e dy pallateve ka sjellë një bilanc tragjik.

Pesë trupa të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa efektivët xhenio, efektivë të Forcave Speciale dhe të kërkim-shpëtimit kryen kërkimet duke nxjerrë të mbijetuarit.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndjekur me padurim nga të mbijetuarit, e sidomos nga familjarët e atyre që kishin mbetur nën rrënoja.

Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të shkallës Rihter ra në orën 03.55 të mëngjesit të së martës.

Sipas të dhënave nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com