“Shqipëria duhet të hyjë në epokën e referendumeve, partitë politikë dështuan në 30 vite. Në momentin që do t’i kthej popullit shqiptar këtë mundësi do largohem nga politika dhe Tirana”, – tha sot Presidenti Ilir Meta në një konferencë për shtyp, ndërsa tha se më 8 dhjetor do të shpalosim platformën.
Meta tha se klasa politike ka dështuar dhe është në degradim total duke shtuar se më 8 dhjetor fillon një lëvizje e re, fillon një dhjetor i dytë.
“Pas 30 viteve eksperiencë, klasa jonë politike në vend që të piqet, të jetë më e hapur, të jetë më përfshirëse, ka një degradim total dhe mban zero përgjegjësi për çdo akt që merr në raport me popullin shqiptar dhe asgjësuar çdo lloj përfaqësimi politik. Në Shqipëri nuk ka më votime, ka vetëm komandime, kjo gjë do të marrë fund dhe do ta realizojmë të gjithë së bashku”, – tha ai.
I pyetur në lidhje me protestën e 8 dhjetorit, Meta tha se më 8 dhjetor fillon një lëvizje e re, fillon një dhjetor i dytë që nuk përfundon derisa populli shqiptar të fitojë atë të drejtë që ia ka dhënë vetes së vet me referendum para 21 vitesh dhe që është bllokuar nga kjo klasë politike, që të mos e ushtrojë atë pushtet dhe demokracinë e vet të drejtpërdrejtë, për të mos vendosur për të gjitha çështjet e rëndësisë së veçantë që ai gjykon. Dhe kjo është e qartë dhe nuk do përfundojë më 8 dhjetor, por kjo nuk do thotë se mitingu i 8 dhjetorit do jetë pa mbarim, një javë, por kjo do të thotë se në të gjitha sheshet e Shqipërisë presidenti do të komunikojë me popullin dhe është palë me popullin dhe referendumin dhe do të bëjë çdo gjë, derisa populli të marrë në dorë fatet e tij përmes referendumit, në mënyrë që populli të mos mbetet më në dorën e partive dhe të mos jetë viktima e lojërave të partive, por përkundrazi të jenë partitë nën presionin e popullit shqiptar dhe t’i nënshtrohen popullit shqiptar”.
I pyetur se përmes kësaj lëvizje do të ndryshohet ligji apo Kushtetuta, Meta tha se “Kushtetuta është e qartë, ligji në zbatim të Kushtetutës dhe të vullnetit të popullit shqiptar dhe pastaj do merren iniciativa për referendum, sepse nuk bëhet fjala thjeshtë për një referendum, se nuk e zgjidh hallin e Shqipërisë një referendum. Hallin e Shqipërisë e zgjidh e drejta e popullit shqiptar që sa herë ta gjykojë, siç e parashikon Kushtetuta që të bëhet një referendum, ta ushtrojë këtë të drejtë dhe këtë ta dinë të gjitha forcat politike që janë në pushtet, që në qoftë se do të bëhet një ligj që cenon interesat publike, cenon interesat e popullit shqiptar, populli do i përgjigjet me referendum”.
Për sa i përket pyetjes që do shtrohet në referendum, Meta tha se më 8 dhjetor do të kemi një platformë me të qartë, por bëhet fjala për të filluar një epokë të re, epoka e partive përfundoi, ato nuk mund të prodhojnë më as dialog politik të qëndrueshëm, as të besueshëm, as të bashkohen për interesin publik, as për kombëtar, gjithmonë do të bëjnë lojëra të tilla, gjithmonë do ia vënë fajin njëra-tjetrës, gjithmonë këtu do të vazhdojë të pasurohen një grup oligarkësh dhe bandat do vazhdojnë të qeverisin, sikurse po ndodh”.
“Kjo është një histori që ka përfunduar. Shqipëria duhet të hyjë patjetër në epokën e referendumit, kjo klasë politike dështoi në mënyrën më absurde dhe më të turpshme”, – theksoi ai.
“Populli shqiptar e ka vendosur vetë të drejtën e referendumit dhe kjo e drejtë do të kthehet dhe do të bëhet shumë shpejt e detyrueshme. Partitë dështuan. Ka humbur çdo lloj përgjegjësie ndaj qytetarëve, ka humbur sistemi llogaridhënës. Shqipëria po shkon tatëpjetë dhe ne do e ndalojmë këtë, duke i dhënë mundësinë popullit të bëjë një zgjidhje të mençur dhe do t’i ndajë çështjet që hidhen në referendum me votën e tij”, shtoi ai.Meta tha se për çështje të rëndësishme populli duhet t’i drejtohet referendumeve.
“Presidenti të zgjidhet nga parlamenti dhe t’i thonë të kemi zgjedhur ne, e t’i thonë na shërbe neve, apo të zgjidhet nga populli dhe t’i përgjigjet popullit. A doni zgjidhje aktuale? Keni një debat të shpikur nga parlamenti që donte të vidhte në mes të ditës një anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe ta kthente atë në një gjykatë në një pushtuese ku populli shqiptarë. Ata thanë se presidenti donte të pengonte Reformën në Drejtësi, atëherë të kërkojmë referendum. Të zbatohet e drejta e popullit shqiptar për referendum dhe unë jam me këtë dhe e mbroj deri në fund, dhe në momentin që do t’i kthej popullit shqiptar këtë mundësi, do largohem nga politika dhe Tirana, por jo jashtë shtetit”, – tha Meta.
Mata tha se tani zgjidhja është referendumi, nuk ka zgjidhje tjetër.
Në lidhje me akuzën tjetër nga mazhoranca për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe mbledhja e firmave nga PS për ta depozituar në Komisionin Hetimor, Meta tha se “Presidenti ka këtë qëndrim që ua bëri të ditur këtu. Me teledeputetët, presidenti nuk ka asnjë shqetësim, i ka respektuar më shumë se ç’duhet gjatë këtij procesi. Presidenti ka vetëm një raport tani, me popullin shqiptar, prandaj më 8 dhjetor, vetëm me flamuj kombëtarë”./atsh