Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi mbrëmjen e sotme gjatë një emisioni televiziv se paketa anti KÇK, do të japë goditje krimit e korrupsionit në nivel të panjohur më parë.
Lleshja tha se “kjo nismë ligjore është nismë dhe vullnet politik për t’i dhënë goditje krimit e korrupsionit në nivel të panjohur më parë. Kjo lidhet me situatën në të cilën ndodhet vendi sot. Ndodhet në një situatë, që karakterizohet nga Reforma në Drejtësi, dhe tashmë kjo reformë po afrohet drejt fazave finale të saj”.
“Ka një demotivim, ose motivim për keq, të atyre që parashikohet të mos e kalojnë Vettingun. Këta po krijojnë kosto, përmes vendimeve skandaloze, që po japin, duke bërë që persona me rekorde kriminale të mos dënohen, të dënohen pak, ose të lirohen në sallë e gjyqit. Kriminelët të dalin dhe të bëjnë sërish krime. Kemi një trup të caktuar gjyqtarësh e prokurorësh, që po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet. Për të mbuluar edhe boshllëkun e SPAK, BKH, ne kërkojmë të adresojmë dhe zgjidhim këtë problem. Ka dy qasje, e para të dekurajojë krimin, kokat e krimit që kanë komoditetin për të bërë më shumë krime, dhe të fuqizojë instrumentet e luftës ndaj tyre që është policia dhe struktura të tjera”, tha Lleshaj.
Ministri u shpreh se “ne kemi një situatë të tillë që duhet të merremi me luftën ndaj krimit të organizuar për 100 e një arsye. Arsyeja e parë është se qytetarët meritojnë më shumë siguri, më shumë drejtësi, perspektiva europiane meriton një qasje më të fortë ndaj krimit të organizuar”.
Po ashtu, theksoi Lleshaj, “ne e kemi objektiv madhor lutën ndaj krimit se është nevojë e madhe ndaj shqiptarëve e Shqipërisë. Masë kryesore është sekuestrimi i pasurisë, ne duam ta shkatërrojmë këtë biznes, sepse krimi i organizuar është biznes. Duhet të shkatërrojmë biznesin kriminal, që punon për të siguruar të ardhura. Ndonëse i gjithë krimi është i fshehtë, ka një gjë që është e dukshme: pasuria, në makina, vila”.
Sipas tij, për shkak të mungesës së një ligji për deklarimin e pasurisë për qytetarët e thjeshtë, ky ligj i detyron personat e dënuar të deklarojnë se si e kanë bërë pasurinë, të cilën duhet ta provojnë në gjykatë.
“Ne na mungon detyrimi i qytetarëve për të deklaruar pasurinë. Ky ligj, thotë, për një të dënuar që ka dalë nga burgu: t`i që ke këtë makinë luksoze, shko në gjykatë, provoje që është makina jote dhe hajde merre. Pra gjithë cikli mbyllet në gjykatë. Nëse policia e ka gabim, do e dëmshpërblejë. E ka të shkruar ligji. Ne po i vendosim kriminelët në situatë siç kemi vendosur politikanët dhe gjyqtarët, pra të deklarojnë të ardhurat e tyre. Nëse ka mos përputhje të mbajnë përgjegjësi”, tha Lleshaj.
Ministri shtoi se “sot Policia e Shteti ka depozituar për shkak të ligjit anti-mafia mbi 200 e sa raste në prokurori dhe nuk janë prekur me dorë. Kemi raste të shumta që lirohen nga salla e gjyqit në seancë e parë persona të akuzuar për vepra të renda dhe për vrasje në një kohë kur gjykata ka marrë masa mbrojtje për të lënduarit. Kemi raste të pafundme që na dëshmojnë një gjeq ë kemi një situatë të pazakontë në sistem. Kemi një kategori gjyqtarësh dhe prokurorësh që e kanë leshura pa fre”.
Duke folur për masat, Lleshja theksoi se “do të reduktojmë hapësirën dhe komoditetin e lirisë së personave të cilët kanë barrë dhe ngarkesa kriminale. Kemi disa nene të Kodit Penal për të cilat janë dënuar njerëz por to për krim të organizuar, mafia, trafik, drogë dhe të gjithë subjekte që janë dënuar për këto vepra penale ose janë në hetim për këto vepra penale ose që kanë patur një akuza por që nuk janë dënuar do të quhen subjekte të këtij ligji, automatikisht këtyre u vihet një pikëpyetje e madhe dhe prozumohen të fajshëm”.
“Pra pas identifikimit, u kufizojmë lirinë, do i nxjerrim jashtë nga zona e komfortit dhe do t’i fusim në një zonë jo komode, do lëvizin brenda qarkut ku je, vetëm brenda Shqipërisë. Kjo është një masë e jashtëzakonshme e përkohshme e cila ka një hapësirë juridiksioni shumë të qartë, që ka një kategori personash që kanë kryer këto vepra penale, janë target i ligjit”, tha ai./atsh