“Qeveria jonë e ka marrë vendimin që vitin e parë të mandatit dhe nuk udhëton me ‘Business Class’”, ndërsa shtëpia ime në Surrel është një banesë individuale si e të gjithë shqiptarëve të tjerë e deklaruar në çdo detaj me çdo faturë”, tha sot Kryeministri Edi Rama.
Në aktivitetin e organizuar për prezantimin e programit dyvjeçar të qeverisë, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj po ashtu në kohë reale edhe pyetjeve të dërguara nga qytetarët.
Rama iu përgjigj një qytetari i cili e pyet se si i duken kryeministrit udhëtimet me “Business Class” me avion, të gruas të kreut të PD-së Lulzim Basha dhe të Monika Kryemadhit, bashkëshortes së Presidentit, si dhe për ‘vilën’ e tij në Surrel.
“Fatkeqësisht jetojmë në një kohë kur secili thotë menjëherë atë që i vjen ndër mend dhe koha për të menduar është shkurtuar në minimum. Koha për të dyshuar dhe verifikuar është shkurtuar në minimum, nuk mund të presësh të dyshojnë dhe verifikojnë qytetarët kur vetë mediat nuk dyshojnë dhe nuk bëjnë verifikime, pavarësisht se kush mund të jetë axhenda e tyre. Vila ime në Surrel?! Cila vilë në Surrel?”, tha Rama.
Kryeministri tha se “ne kemi bërë një inventar së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në funksion të një programi për të ndihmur familjet që jetojnë në shtëpi shëmbëlltyrë e mjerimit”.
“Bëhet fjalë për ato shtëpitë që bëjnë lajm, ato që kur shfaqen në rrjetet sociale bëhen virale dhe që bëjnë treçerekun e komentatorëve të thonë kjo është Shqipëria. Në fakt inventari që kemi bërë tregon se këto shtëpi në të gjithë territorin e vendit janë 1600 e ca. Por sa janë vilat si puna e asaj të Surrelit që janë ndërtuar në Shqipëri?”, tha Rama.
Kryeministri tha se janë gjysmë milionë shtëpi me 2, 3, apo 4 kate që kanë qenë produkt i punës në pjesën më të madhe të tyre.
“Ajo vila ime në Surrel ka një formë të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët, por në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptarëve është një banesë individuale e një familje shqiptare më shumë dhe kaq. Për të gjithë ata që kanë hedhur pa fund baltë lidhur me këtë mund të them vetëm që shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj me çdo faturë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “unë do të isha shumë i lumtur nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të bien dakord që të bëjnë një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat dhe sa korrespondojnë të ardhurat me produktin”, tha Rama.
Sa i përket “Business Class, Rama tha se “qeveria jonë e ka marrë këtë vendim që vitin e parë dhe nuk udhëtoj me “Business Class’ me përjashtim të rastit kur 198 cm e mia duhet të spostohen përtej oqeanit, për të mos dal i paketuar bashkë me shtyllëm time kurrizore”, tha Rama. /atsh