Në kodrat e Liqenit Artificial, Tiranë u inaugurua sot Pavilioni “Syri i Qiellit”, në nder të 23 viktimave të aksidentit tragjik të 22 nëntorit 1989 në Himarë.
Bashkë me ta u largua nga kjo jetë studentja Elida Hyseni, motra e deputetit socialist, Alket Hyseni, familja e së cilës kontribuoi për këtë pavilion kujtese, por jo vetëm kujtese, por vend ku mund të zhvillohen veprimtari të ndryshme.
“Është syri i shpirtit tonë, është syri yt, është syri i nënave, motrave, baballarëve, fëmijëve dhe njerëzve të dashur të atyre 22 vajza dhe djem, burra dhe gra, që bashkë me ty u larguan tragjikisht nga kjo botë, për të mbetur përjetë në zemrat tona. Lotët janë kthyer në kristal dhe kristalet janë kthyer në pasqyrë, ku reflektohet dhimbja dhe malli ynë. Tashmë motër do kemi si të shihemi edhe pse nga shumë larg,” u shpreh deputeti Hyseni.
Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, e pranishme në ceremoninë e inaugurimit të këtij memoriali shprehet se shoqëria duhet të përkujtojë njerëzit të cilët humbën jetën edhe në krye të detyrës.
“Shoqëria jonë ka modele që duhen kujtuar dhe promovuar për shërbimet e tyre në raste të emergjencave dhe fatkeqësive natyrore. U inaugurua sot Pavilioni “Syri i Qiellit” në kodrat e Liqenit Artificial, Tiranë. Është syri i shpirtit i nënave, motrave, baballarëve, fëmijëve dhe njerëzve të dashur të 23 viktimave: vajza dhe djem studentë, pedagogë, pilotë, teknikë, mjekë dhe infermierë dhe drejtuesi i mjetit që u larguan tragjikisht nga kjo botë 30 vite më parë,” shprehet Hysi. /atsh