Përkujtohet sot Dita e Alfabetit Shqip, i cili u njehsua në Kongresin e Manastirit.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.
Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, ku në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.
Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: N. Mjeda, Gj. Qiriazi, M. Frashëri, S. Peci, Sh. Kolonja, L. Gurakuqi, Dh. Buda, B.Topulli, N.Vrioni, G.Cilka.
Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, ashtu dhe alfabeti i ri.
Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Në këtë Kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar./atsh