Loading...

Kushtetuesja, Bardhi: Komisioni i Venecias nuk jep vendime, Shqipëria nuk mund të mbetet peng

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka reaguar në emër të kësaj të fundit lidhur me çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi rikonfirmon edhe njëherë qëndrimin e PD se Edi Rama po tenton të kapë e kontrollojë politikisht Gjykatën Kushtetuese. Kjo sipas tij, “cenon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi. Kjo është në kundërshtim me qëllimin madhor që kishte dhe duhet të ketë Reforma në Drejtësi, që të shkëpuste drejtësinë nga politika. Kjo bie ndesh me kërkesën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për drejtësi të pavarur”.

Sekretari i PD thotë se mbështesin plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetues të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, Partia Demokratike shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime, por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese”, – shprehet Bardhi.

Ky debat, sipas reagimit të sekretarit të PD, vetëm sa shtyn bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e zvarrit atë dhe pamundëson që Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit.

Sakaq lidhur me çështjen e Besnik Muçit pas vendimit të KPA-së, Bardhi thotë se “Partia Demokratike nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të Vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë, ose me të padrejtë. Ka një numër vendimesh për përjashtim të cilat, në pamje të parë, të japin perceptimin e një padrejtësie, por detyra jonë nuk është t’i komentojmë ato”.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com