Loading...

Vlora dhe Austria, një model bashkëpunimi në të gjitha fushat

Marrëdhëniet mes Vlorës dhe Austrisë, përbëjnë një model dhe përfaqësojnë nivelin e lartë të bashkëpunimit që ekziston mes dy popujve.

Kultura, arsimi, por edhe fusha të tjera, janë drejtimet e këtij bashkëpunimi, që ka ardhur duke u forcuar e konsoliduar, veçanërisht gjatë viteve të fundit.

Gjatë një takimi që u zhvillua të enjten në bashkinë e Vlorës, mes kryebashkiakut Dritan Leli dhe Shefit të Misionit në Ambasadën e Austrisë në Tiranë, dr. Christian Steiner, u evidentuan edhe një herë vlerat e këtij bashkëpunimi, që i ka rrënjët në histori, ndërkohë që u vu theksi tek intensifikimi i mëtejshëm i tij në të ardhmen.

Leli, solli në vëmendje momentet e çeljes dy vite më parë të Konsullatës së Austrisë në Vlorë, duke e cilësuar atë një nismë që dëshmon dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për të ecur më tej së bashku në rrugën drejt konsolidimit të vlerave respektive.

“Çelja e Konsullatës së Austrisë në Vlorë, pas pothuajse 100 vitesh, ishte një nismë që e mbështeta, duke e konsideruar një mundësi që i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona në përgjithësi, dhe me Vlorën në veçanti”, – nënvizoi Leli.

Sipas tij, Austria, në sytë e ne shqiptarëve përfaqëson vlera të çmuara dhe të padiskutueshme, të cilat shfaqen jo vetëm në mbështetjen që i jepet Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por edhe në histori.

“Austria ka qenë një mbështetje e padiskutueshme e aspiratave të popullit tonë për liri e pavarësi kombëtare dhe, aktualisht është një nga vendet që ngrenë zërin më fort në përshpejtimin e rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, – shtoi më tej, kreu i bashkisë së Vlorës.

Ai u shpreh se aktualisht ekziston një frymë e re bashkëpunimi, një orientim i ri pozitiv i konsolidimit të shtetit të vlerave, drejt shtetit të së drejtës dhe mbi të gjitha, drejt prosperitetit europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Leli falënderoi për mbështetjen që Ambasada e Austrisë ka dhënë për aktivitete dhe projekte të ndryshme në Vlorë, në fushën e kulturës, por jo vetëm, ndërkohë që evidentoi në këtë rast nismën e zotit Steiner, për të promovuar Antologjinë e Letërsisë Austriake, si një mundësi, si një përkujdesje të veçantë për të prezantuar njerëz që kanë bërë historinë e qytetërimit, për të spikatur tek lexuesit shqiptarë dhe ata vlonjatë, modele dhe histori që përcjellin kulturë, dije dhe që, mbi të gjitha, nxisin afrimin e mëtejshëm mes popujve tanë.

Nga ana e tij, Shefi i Misionit në Ambasadën e Austrisë në Tiranë, dr. Christian Steiner, u ndal tek bashkëpunimi i deritanishëm, ndërkohë që theksoi faktin se, përveç fushës së kulturës, janë mbështetur edhe projekte të tjera të suksesshme në Vlorë.

“Prezantimi i Vëllimit të Parë të Antologjisë së Letërsisë Austriake, përbën një nismë pozitive, por bashkëpunimi është shtrirë dhe konsoliduar edhe në fusha të tjera. Kështu në Qarkun e Vlorës janë në proces projekte të ndryshme, të cilat janë mbështetur nga Zyra jonë për Zhvillim”, – theksoi zoti Steiner, duke sjellë shembullin e një projekti mes Universitetit të Vlorës dhe qytetit të Gracit, Austri.

Ai tha se Austria është një nga mbështetësit kryesorë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

“Së fundi, Austria ndërmori nismën e përshpejtimit të procesit të çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, së bashku me disa vende të tjera”, – theksoi Shefi i Misionit të Ambasadës së Austrisë në Tiranë. Ai shtoi se, “Kjo dëshmon mbi të gjitha, atë nivel të lartë bashkëpunimit mes nesh, mes dy vendeve dhe popujve tanë”.

Dy vite më parë, në Vlorë u çel Konsullata e Austrisë, çka shënoi një rikthim pas më shumë se 100 vitesh, në traditën e bashkëpunimit mes dy vendeve, në këtë dimension diplomatik.

Gjithashtu, sot në mesditë, në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria” u zhvillua ceremonia e prezantimit të Vëllimit të Parë të Antologjisë së Letërsisë Austriake, në një mjedis me lexues të shumtë dhe dashamirës të letërsisë, si edhe studentë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com