Tragjedia “MEDEA” dhe loja e mrekullueshme e kastit të jashtëzakonshëm të aktorëve erdhi mbrëmjen e djeshme për publikun në teatrin Bylis.
Kjo tragjedi erdhi e përkthyer dhe e përshtatur nga Viktor Zhusti, me regji të Dimitris Mylonas, erdhi nën interpretimin e aktorëve Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Gjergj Mena, Kristian Koroveshi, Adriana Tolka, Alesia Xhemalaj, Algiona Aga, Franceska Hysi, Julinda Emiri, Sara Smaja, Xhulia Musagalliu, Benardo Meziri, Ergys Malsia, Fritz Selmani, Ismail Shino, Mariol Aliko, Amadeus Klevent Xhizdari dhe Rei Lika.
Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Subjekti përqëndrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.
Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët.
Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet.
Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqendruar te ndërveprimi i karaktereve , Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit. /atsh