Këto ditë, ka nisur puna në zbatimin e projektit të mirëmbajtjes dhe konservimit në Urën e Tamarës, Kelmend. Kjo urë është vepër arkitekturore e shek.XVIII e cila lidh Shkodrën me viset e malësisë, objekti ka status monument kulture i kategorisë së I, shpallur në vitin 1984.
Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulture Shkodër parashikon ndërhyrje konsoliduese – restauruese në urë.
Vermoshi gjendet në një distancë prej 95 km nga qyteti i Shkodrës. E gjithë kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Mbasi udhëtohet në një rrugë spektakolare malore nga Shkodra për në Vermosh, duke kaluar objekte të tilla si qafën e Rrapshit dhe urën e Tamarës mbi lumin e Cemit, udhëtari mbërrin në fshat, i cili është ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit.
Kjo luginë me origjinë akullnajore është vendosur në lartësinë 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit. /atsh