Jose Mourinho është trajneri i ri i londinezëve të “Tottenham Hotspur”.
Kur ka kaluar më pak se një vit nga koha kur u shkarkua nga stoli i Manchester United, Jose Mourinho gjeti një tjetër pankinë dhe sërish në kampionatin anglez, por këtë herë në Londër, në stolin e “Tottenham”.
Drejtuesit e klubit londinez vendosën të shkarkojnë argjentinasin Maurizio Pocchettino mbrëmjen e djeshme, ndërsa pak më vonë, nëpërmjet një komunikate zyrtare komunikuan se në vendin e tij në stol do të ulet portugezi Jose Mourinho.
Pocchettino drejtoi “Tottenham” rreth 5 sezone e gjysmë, duke arritur rezultate mjaft të mira, ku përfshihet edhe një finale në Ligën e Kampionëve, por starti i këtij sezoni për “Spurs” ka qenë për t’u harruar me vetëm 14 pikë në 12 ndeshje.
“Tottenham” bëhet kështu skuadra e tretë e Premier League, që drejtohet nga Jose Mourinho, i cili do të bëjë debutimin në stolin e “Spurs” të shtunën në orën 13:30, në përballjen në transfertë përballë West Ham.
Ndërkohë në komunikatën e shpërndarë nga klubi londinez, “Tottenham” dhe Mourinho kanë nënshkruar një kontratë që do t’i mbajë të lidhura palët deri në qershorin e 2023-shit, duke konfirmuar besimin reciprok për fillimin e një projekti afatgjatë./atsh