Nisma “Qesja e fundit” u ndal në Universitetin e Vlorës. Në komunikim me studentë e profesorë, ministri Klosi diskutoi për lidhjen e aleancës dhe partneritetit me të rinjtë në ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në 1 qershor 2020. “Të rinjtë mbeten për ne aleatët e partnerët më mëdhenj të misionit Shqipëria e pastër turistike,” tha ministri në takimin ku merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Vlorës, prefekti i qarkut dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
“Duhet shumë që të kemi një komunitet dhe ju jeni më të përzgjedhurit e këtij komuniteti për të qenë në një ndërmarrje të madhe që duhet të marrë qeveria shqiptare që ne tashmë e kemi shpallur, por jemi akoma në fazën e diskutimit, e debatit dhe sqarimit publik që ka të bëjë me shpalljen e Shqipërisë, vendi i parë europian pa qese plastike më 1 qershor 2020. E kemi filluar këtë fushatë 10 muaj para se të vijë 1 qershori pasi duam shumë që përveç se të marrim një vendim në qeveri dhe më pas në parlament për refuzimin e qeseve plastike më 1 qershor 2020, më shumë se kaq të kemi një opinion publik që refuzon përdorimin e qeseve plastike,” tha ministri Klosi, duke iu kërkuar studentëve të bëhen pjesë e një revolucioni mjedisor në Shqipëri për t’i dhënë fund përdorimit të plastikës në vendin tonë.
Ministri Klosi theksoi se ndërkohë vendet europiane kanë filluar veprimet për ndalimin e plastikës njëpërdorimshme ndërsa një vit më parë vendimi i qeverisë shqiptare për ndalimin e qeseve të holla të pabiodegradueshme u implementua me sukses po pavarësisht kësaj duhet një aksion më i fortë. “Edhe pse u reduktua numri me 50% i qeseve plastike në përdorim përsëri jemi në fazën që e kemi të nevojshme që të ndërmarrim një aksion edhe më të fortë për ta refuzuar fare, përdorimin e qeseve plastike nga 1 qershori 2020” -tha ministri Klosi duke theksuar se tashmë në Shqipëri ka biznese që e kanë refuzuar plastikën dhe funksionojnë më së miri. “Ka një rrjet supermarketesh që e kanë vendimin e tyre nga kompania mëmë në Gjermani dhe sot mund në dyqanet e tyre nuk ka qese, cdo gjë e tregtojnë me letër, karton apo me trastat klasike. Ka hotele ku vijnë turistë nordikë që e kanë në kontratë mospërdorimin e plastikës dhe funksionojnë e nuk u është prishur biznesi”
Duke theksuar rëndësinë e mjedisit në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit ministri Klosi u kërkoi studentëve që të përkrahin nismën kundër qeseve plastike ashtu sic e kanë përkrahur edhe partnerët europianë në vendin tone, me fushatën mjedisore të iniciuar pak kohë më parë. /atsh