Tirana mikpriti sot takimin e organizatave më të mëdha rinore të vendeve Adriatiko-Joniane, në një kohë kur kryeqyteti shqiptar është finalist për t’u shpallur “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022.
Eurorajoni Adriatiko-Jonian (AIE), në kuadër të Nismës AI-NURECC organizoi në kryeqytetin shqiptar Forumin e parë vjetor të Organizatës Rinore Adriatiko-Joniane duke u përqendruar në rolin e të rinjve për të krijuar kushtet e një dialogu të hapur midis Rinisë Adriatiko-Joniane, Organizatave Rinore dhe strukturave dhe aktorëve të EUSAIR.
Në fjalën e hapjes kryetari i qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi njëherazi dhe zv.president i Eurorajonit Adriatiko-Jonian theksoi se Tirana bëhet qyteti i vetëm që nisma AI Nurecc ka pasur dy ndalesa, ku dhe një vit më parë u diskutua për inovacionin dhe teknologjinë dhe sot ku mori jetë forumi i organizatave rinore të hapësirës Adriatiko-Joniane.
“Bregdeti, zona e Adriatikut dhe Jonit është një pasuri e çmuar për të rinjtë, sepse potenciali i turizmit, agroturizmit, agrikulturës përfshirë nevojat e sotme për zhvillim të territorit, teknologjisë dhe inovacionit në këto fusha kanë nevojë për dialog, network, shkëmbim eksperiencash. Pikërisht ky është qëllimi që organizatat rinore të punojnë së bashku mbi këto mundësi dhe për të strukturuar po ashtu të ardhmen e tyre duke u mbështetur tek pikat e forta të territoreve ku jetojnë”, u shpreh zoti Dalipi.
AI-NURECC është një iniciativë e përbashkët e palëve të interesuara kryesore që përfaqësojnë rajone, qytete, dhomat e tregtisë dhe universitetet e zonës Jon, EUSAIR. /atsh