Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2020” për KQZ-në.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfaqësua nga Ylli Merkaj, Sekretari Përgjithshëm i KQZ-së dhe Mirela Gega drejtoresha e financave.
Merkaj tha se ishin dakord për miratimin e fondeve për KQZ nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
“Fondet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë në të njëjtin nivel të krahasuar me vitin tjetër”, tha Merkaj duke kërkuar që në buxhetin e 2020 të shtohet fondi me 20.144 milionë lekë për blerjen e dy furgonave, shtesë për pagat pasi janë punësuar 71 punonjës, por edhe shtimin e një kati në godinën e saj”.
Relatori Bashkim Fino tha se nuk ka para për luks për KQZ, Reforma Zgjedhore mund të ndryshojë strukturën e KQZ.
“Projektbuxheti i KQZ-së është korrekt, dy pretendimet që ka nuk ekzistojnë, pasi mund të marrë furgon me qira. KQZ ka volum të madh pune, por vetëm në zgjedhje.” Ne kemi dhënë një godinë të re të mirë, moderne dhe nuk pretendoj se duhet shtuar një kat”, tha ai.
Po ashtu, Fino shtoi se “jemi në procesin e Reformës Zgjedhore dhe mund të ndryshojë struktura totale e KQZ dhe mund të mos ketë aq shumë administratë, ku sipas reformës zgjedhore të ketë ndryshime strukturore dhe pa mbaruar kjo reformë Ministria e Financave nuk do japë para për luks”. /atsh