Përqendrimi tek arsimi profesional, trajnimet apo kualifikimet e ndryshme kanë ulur papunësinë tek të rinjtë në vend. INSTAT bën të ditur se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është ulur në 20,9 % në tremujorin e dytë të vitit 2019.
Raporti i INSTAT, konfirmon se performanca e tregut të punës është në trend rritjeje shumë pozitiv, ku papunësia për herë të parë në vend ka shkuar në nivelin më të ulët historik prej 11,5% krahasuar me 2014.
Shifrat pozitive të rritjes së punësimit tregojnë se ekonomia dhe biznesi po gjenerojnë punësim për të gjitha shtresat. Aktualisht 68,9% e shqiptarëve janë të angazhuar në punë dhe kërkesa e biznesit për punësimin e profesionistëve janë në rritje.
Ndërkohë që orientimi i politikave të arsimit drejt atij profesional, po integron gjithnjë e më shumë të rinjtë drejt tregut të punës.
Shifrat zyrtare tregojnë se, është ulur me 3,6% shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Instituti i Statistikave në të dhënat e anketës mbi forcat e punës për vitin 2018, tha se shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 28,3%.
Të ndarë sipas grupeve femra meshkuj, të dhënat tregojnë se meshkujt e moshës 15-24 vjeç përbëjnë pjesën më të madhe të të zënëve në punë, duke përfaqësuar 29,6% të të punësuarve dhe 26,0% e zënë femrat. Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ra me 3,6%.
Ndërkohë, po sipas INSTAT, numri i të rinjve të moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë kundrejt totalit vetëm 28,6% të të rinjve gjithsej.
Arsimi dhe trajnimet profesionale, mbështetur me anë të politikave për zhvillimin e arsimit profesional në vend po ndryshojnë situatën e raportuar për vitin 2018 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Sipas kësaj organizate në një hartë të të papunëve, të paarsimuarve e të patrajnuarve mes të rinjve në Europë për vitin 2018, Shqipëria kishte një nivel prej 32,8%.
Sipas INSTAT në terma vjetorë shkalla e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie të theksuar gjatë vitit 2019. “Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2019 është 1,7% më e ulët. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla e papunësisë tek të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,3%”, thuhet në raportin e INSTAT.
Në tremujorin e fundit të këtij viti, pjesëmarrja e forcave të punës është rritur me 20 mijë qytetarë, ndërsa krahasuar me 2018, pjesëmarrja në forcën e punës u rrit me 34 mijë persona, ku dominon punësimi tek të rinjtë e moshës 18-30 vjeç. /atsh