Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni shprehu sot keqardhjen që Presidenti i Republikës është katandisur në një portal shantazhi.
I ftuar në një studio televizive, Hyseni komentoi paralajmërimin e Kreut të Shtetit për një kallëzim penal ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani.
“Presidenti është katandisur në një portal prodhimi videosh sikurse talebanët, që thoshin se së shpejti do të dali një video e Mulla Omarit”, tha Hyseni.
“Prej 4-5 ditësh Presidenti po përpiqet të indoktrinojë në opinionin publik sikur do të dalin çudira. Si jurist i kujtoj Kodin Penal ku ka një nen të posaçëm që detyron zyrtarët e shtetit që sapo të bien në dijeni të një vepre penale duhet të bëjnë kallëzimin penal”, tha Hyseni.
Ai shprehu bindjen se në rastin konkret kemi të bëjmë me një marrëzi të Presidentit, pasi nëse ka një provë të një vepre penale, vetë Presidenti po shkel ligjin prej 4- 5 ditësh.
Po ashtu, Hyseni tha se “Presidenti është në konflikt të hapur interesi pasi po atakon një nga gjyqtarët që e ka gjykuar më parë”.
Me qëndrimin ndaj ambasadorëve, Hyseni tha se “Presidenti ka krijuar një precedent shumë të rrezikshëm sot”.
I pyetur nëse është në dijeni të një shantazhi ndaj anëtares të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Hyseni tha se “nuk kemi dijeni dhe po të kisha dijeni do të kisha bërë kallëzim penal, por nuk duhet ngatërruar nëse ka debat mes kolegësh”. /atsh