Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi sot në komunikimin e përjavshëm me qytetarët se rasti Valbonës i një nëne me fëmijë me aftësi të veçanta e cila kishte probleme me përfitimin e paketës higjeno-sanitare ka gjetur zgjidhje.
Sipas ministres ku rast u zgjidh dhe tashmë duke nisur nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare nuk do të jetë vetëm për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, por dhe për raste të tjera të personave me aftësi ndryshe të cilët janë me aftësi të kufizuar të thellë apo të rëndë.
“Po e nis komunikimin javor do e nis me rastin e Valbonës, nëna e një djali me aftësi të veçanta që përfiton pagesën mujore nga programi i Mbrojtjes Sociale. Valbona me ka shprehur shqetësimin se përse nuk e përfitonin paketën higjeno-sanitare. Valbona duhet të sqaroj se ne po nisim në Tiranë një vlerësim të ri bio psiko-social për vlerësimin e aftësisë së kufizuar ku një vëmendje të veçantë do ti kushtojmë vlerësimit të fëmijëve me aftësi ndryshe. Prej datës 1 dhjetor pagesa e paketës higjeno-sanitare nuk do të jetë vetëm për personat para tetra plegjik por dhe për raste të tjera të personave me aftësi ndryshe të cilët janë me aftësi të kufizuar të thellë apo të rëndë. Ky vlerësim do sjell më shumë mbështetje financiare për personat me aftësi të veçanta dhe kryesisht për fëmijët me aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.
Ministrja gjatë këtij komunikim bëri dhe një panoramë të punëve që do bëhen gjatë kësaj jave të re. Në fokus të kësaj jave janë pikat e reja të vlerësimit të aftësisë së kufizuar të cilat tashmë do të jenë pranë qendrave shëndetësore.
“Gjatë kësaj jave do jem në një prej pikave të reja të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, të cilat tashmë do të jenë pranë qendrave shëndetësore, duke garantuar më shumë akses dhe transparencë maksimale duke u vlerësuar nga një ekip mjekësh, punonjësish social dhe psikologësh. Do ta fillojmë në Tiranë për t’u shpërndarë më pas në gjithë Shqipërinë”, theksoi ministrja.
Gjithashtu një tjetër rast i një qytetari me sëmundje zemre i cili kishte probleme me marrjen e barnave të rimbursueshme gjeti zgjidhje.
“Janë të shumtë qytetarët që këtë javë më kanë shkruar për disa shqetësime dhe ne i kemi adresuar me ekipin e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të zgjidhur çdo kërkesë apo ankesë të tyre. Ka një prej tyre që tregon mundimin e vërtetë që në disa raste kalojnë pacientët me sëmundje kronike për të përfituar barnat e rimbursueshëm, siç është rasti i Xhevdetit. Ai endej sa në një zyrë në një qendër shëndetësore për të përfituar barnat me rimbursueshëm për sëmundjen e zemrës. Në pamundësi për të gjetur zgjidhje ai na shkruajti dhe ne ndoqën rastin e tij, kemi bërë hapa në drejtim të lehtësimit të procedurave. Ka ende shumë për të bërë për të lehtësuar qytetarët për të përfituar barnat me rimburësim. Siguroj Xhevdetin dhe për gjithë ju se po punojmë për paketën e thjeshtëzimit të procedurave për barnat e rimburësueshme me synim ndjekjen tek mjeku i familjes për sëmundjet kronike të përcaktuara”, tha ministrja.
Gjithashtu ministrja Manastirliu solli dhe një herë në vëmendje programin e vaksinimit që u zhvillua gjatë javës që shkoj ku 138 mijë doza vaksinash janë vënë në dispozicion falas për vaksinimin ndaj gripit për kategoritë në risk.
“Gjatë javës që lam pas nisëm një program shumë të rëndësishëm kombëtar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, programin e vaksinimit falas ndaj gripit për kategoritë në risk. 138 mijë doza vaksinash janë vënë në dispozicion të të moshuarve , personelit mjekësor, grave shtatëzëna, të sëmurëve kronik dhe fëmijëve 2-5 vjeç për tu mbrojtur nga komplikacionet e gripit”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja gjatë këtij komunikimi bëri dhe apel në kuadër të muajit për ndërgjegjësimin ndaj diabetit duke i ftuar qytetarët të gjejnë pak kohë për të bërë falas kontrollin periodik për parandalimin e diabetit.
“Ky është një muaj tjetër i rëndësishëm, është muaji për ndërgjegjësim ndaj diabetit. Dua ti bëj një ftesë publike të gjithëve ju që të gjeni pak kohë për të bërë kontrollin periodik falas për të parandaluar komplikacionet e diabetit”, tha ministrja.
Në fund ministrja tha se, ” gjatë kësaj jave do jem në Shkodër për disa investime shumë të rëndësishme qoftë në kujdesin parësor ku kemi përmirësuar shërbimin për komunitetitin ashtu edhe në spital ku po funksionon më së miri shërbimi i koronarografisë që është një shërbim që shpëton jetë dhe ofrohet afër vendbanimit edhe në Shkodër”.
Komunikimi javor është një tjetër mënyrë për të marrë nga qytetarët shqetësime që lidhen me shëndetësinë apo mbrojtjen sociale dhe në të njëjtën kohë për të adresuar çështje që do të përfshihen në axhendën javore të ministres. /aatsh