Loading...

Restaurohet kisha e Shna Prendes/ Ndreu: E vetmja kishë që ka qartësisht darkën e fundit të Jezu Krishtit

Restaurohet kisha e Shna Prendes në Balldre të Lezhës. Kisha, shpallur monument kulture i kategorisë së I në vitin 1984, tashmë do të jetë një tjetë destinacion për të gjithë turistët.

Gjatë përurimit të restaurimit të kësaj kishe ishte i pranishëm dhe kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ku shprehet se kjo kishë është një objekt kulturor dhe historik me vlerë të madhe dhe afresket e gjendura në të janë unikale.

“Kisha e Shna Prendes në Balldre Lezhë është një objekt kulturor dhe historik me vlerë të madhe. Afresket e gjendura aty janë unikale. Është e vetmja kishë në vend që ka qartësisht darkën e fundit të Jezu Krishtit, por me shumë se 200 vjet para se ta pikturonte Da Vinçi, çka i jep kësaj kishe vlera të pakrahasueshme”, shprehet Ndreu.

“Respekt për Dom Nike Ukgjini, Gjergj Liqejza e shume aktorë të tjerë që bënë të mundur këtë punë kaq të dobishme”, tha Ndreu.

Kisha e Shna Prendes në fshatin Balldren të Lezhës është ndërtuar në shek.XII-XIII.

Kjo kishë ndodhet në fshatin Balldre, ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar. Burimet historike shënojnë në fshatin Balldre (balli i Drinit) që nga mesjeta me popullsi të ardhur nga alpet e veriut (Kelmendit).

Ndërtimi i kishës tregon përkushtim dhe funksionin fetar të këtij komuniteti dhe më gjerë në luginën e poshtme të lumit Drin. Ajo i përket tipit Gotik, më vonë kisha pati një restaurim, i cili mendohet që është i vitit 1462 sipas mbishkrimit të vendosur në anën e jashtme të Apsidës ku shkruhet: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o ZOT shërbëtorët e tu, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”.

Kjo kishë e stilit romanik ndërtuar mes shek. XIV-XV paraqet një ndërtim drejtkëndësh, mbuluar me qemer të mprehtë. Kisha nga brenda ka qenë e zbukuruar me afreske ku dallon prej të tjerave tek absida “Darka e fundit”.

Me të njëjtin lloj harku janë edhe dyert e dritaret origjinale një pjesë e të cilave janë të murosura. Nga gërmimet e viteve 1985-86 në pjesën jugore të kishës janë evidentuar mure dhe një Apsidë, vazhdim i ekzistueses, duke përcaktuar në këtë mënyrë se forma planimetrike origjinale ka qenë e përbërë në dy Anijata dhe dy Apsida. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com