Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e ndeshjes së shumëpritur të futbollit, Shqipëri-Francë, jo për nga kompeticioni më tepër sesa për faktin që do të përçojë nëpër botë edhe emrin e arenës së re kombëtare, “AIR ALBANIA STADIUM”.
Gjithçka është gati në stadiumi për të pritur tifozët e parë të cilët do të ulen në stolat e veshur me flamujt kuqezi, ku të gjitha biletat janë të shitura.
Stafi teknik i stadiumit, mediat më të mëdha prestigjioze të cilat do të ndjekin ndeshjen dhe ceremoninë e inaugurimit të stadiumit po bëjnë përgatitjet e fundit.
Gjithçka pritet të startojë në orën 19:40 minuta me ceremoninë për të cilën ka mbërritur në vendin tonë edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Për herë të parë në një ndeshje ndërkombëtare, Shqipëria është mikpritëse me një stadium që përmbush të gjitha standardet e kërkuara nga UEFA.
Air Albania Stadium, një impiant modern me një kapacitet prej 21 mijë e 690 vendesh, ka impresionuar edhe zyrtarin e lartë të UEFA, Ceferin.
“Stadiumi “Air Albania” është një xhevahir i vërtetë,” – u shpreh ndër të tjera Ceferin, duke përgëzuar qeverinë dhe FSHF-në për përfundimin e kësaj arene të mrekullueshme.
Atmosfera e kësaj ndeshjeje, mbart mjaft emocione edhe për faktin se kemi përballë kampionen e botës, Francën, ndihet kudo, në çdo rrugë që të çon drejt stadiumit në kryeqytet.
Flamujt kuqezi valëviten në çdo shesh, trotuar, por edhe nëpër makinat e tifozëve të cilët të ardhur nga çdo qytet, por edhe nga Kosova e troje të tjera ku ka shqiptarë, kanë mbushur sot rrugët si kurrë më parë.
Edhe ekipi ynë kombëtar i mbledhur nga trajneri Edi Reja po merr direktivat e fundit dhe ka zbritur në fushë për seancën stërvitore përpara ndeshjes.
Ora për ceremoninë e cila do të ofrojë edhe mjaft surpriza të tjera artistike po afron.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoni është një tjetër element i veçantë i mbrëmjes së sotme.
Sipas organizatorëve të ceremonisë që do të hapë ndeshjen e parë në Air Albania Stadium, në të do të marrin pjesë edhe emra të mirënjohur të muzikës shqiptare dhe asaj kosovare.
Era Istrefi dhe Flori Mumajesi do të jenë emrat “big” të muzikës që do të performojnë nga tre këngë për tifozët që do të mbushin shkallët e stadiumit.
Një koreografi mjaft e veçantë do të shpaloset para tifozëve nga plot 460 fëmijë në fushën e blertë.
Ndërkohë, himni shqiptar do të këndohet nga artistja Juliana Pasha, ndërsa këngëtarja Besa Kokëdhima do të këndojë himnin për miqtë francezë. /atsh