Demonstrues nga lëvizja e jelekverdhëve në Francë, u mblodhën sot në Paris dhe qytete të tjera, një vit pasi lëvizja protestuese bëri daljen e parë publike në mbarë vendin.
Policia në Paris deklaroi se kontrolluan mbi 1 000 persona dhe arrestuan rreth 12 të tjerë.
Disa protestues jelekëverdhë, emri i të cilëve vjen nga jelekët e dukshëm që u bënë shenja dalluese e lëvizjes, bllokuan një autostradë të rëndësishme në veriperëndim të qytetit.
Sipas transmetuesit francez BFMTV, policia shpërndau turmën që shkaktoi bllokimin.
Demonstratat në bulevardin e famshëm, Champs-Elysees, vendi ku kanë ndodhur disa nga protestat më të dhunshme të vitit të kaluar, janë ndaluar gjatë fundjavës.
Grupe të jelekverdhëve u mblodhën në zonat jugore dhe veriperëndimore të Parisit. Sipas medieve lokale, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. /atsh