Loading...

Ligj special kundër krimit të organizuar, në 25 nëntor prezantohet platforma kundër KÇK-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në 25 nëntor do të prezantojë platformën kundër KÇK-së (Kap Ç’të Kapësh), një paketë e tërë ligjore mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar”.

Në një prononcim për mediet, Rama tha se “njerëzit duan të tjera gjëra ndaj dhe në 25 nëntor do të prezantohet ligji special kundër krimit të organizuar, kundër atyre që kanë kryer vrasje, akte të rënda, përfshirje në trafiqe, për të cilët ka ardhur koha të japin disa llogari të pa mbyllura”.

“Për më tepër do t’ju jepet mundësia të mësoni kur të publikohet dhe ligji special që do të çelë siparin e një lufte të panjohur më parë në Republikën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe atyre eksponentëve të krimit që deri më sot ia kanë dalë të përdorin dhe të kenë në dispozicion pasuri të paligjshme”, tha Rama.

Rama tha se ajo që e shqetëson dhe i intereson është dhënia e një shtyse të re të procesit të qeverisjes për një përfundim me sukses të këtij mandati”.

“Kjo fillon me ligjin special kundër të gjithë atyre që janë shpërndarë në territore të caktuara dhe kujtojnë se llogaritë i kanë mbyllur. Por jo, janë të hapura dhe tani është koha për të bërë llogaritë e çdo pasurie të vënë në mënyrë kriminale”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com