Marrja e antibiotikëve kur ata nuk nevojiten sjell probleme me efikasitetin e antibiotikëve.
Kjo javë njihet ndryshe si java ndërgjegjësuese për antibiotikët ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë apel për të mos i përdorur ato pa këshillën e mjekut.
Në kuadër të kësaj jave u zhvillua mbledhja vjetore e CEASAR-it e cila bëri së bashku specialistë të fushës nga Instituti i Shëndetit Publik, spitalet universitare dhe rajonale për të diskutuar sfidat dhe objektivat për të ardhmen. Ky takim i rëndësishëm u bë me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që u përfaqësua nga Shefi i zyrës së saj në Tiranë, Raul Gonzales.
Në këtë takim, Dr. Albana FICO, Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik i ISHP-së bëri me dije edhe përkushtimin për të ecur përpara me procesin e përmirësimit të punës në laboratorët e këtij institucioni.
Antibiotikët janë medikamente të rëndësishme që përdoren për mjekimin e infeksioneve bakterore si në njerëz dhe në kafshë dhe jo në infeksionet virale, por jo gjithmonë ato janë zgjidhje. Antibiotikët po humbasin efektivitetin e tyre, që do të thotë më shumë vdekje dhe më shumë komplikacione për njerëzit, pasi ne nuk po i përdorim ato siç duhet. Nëse bakteriet bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, shumë mjekime të thjeshta do të bëhen përsëri të rrezikshme për shëndetin tonë./atsh