Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se mazhoranca kërkon të kapë të gjitha pushtetet, përfshirë edhe institucionin që ai drejton.
Gjatë një interviste televizive, Meta tha se e gjithë lufta për shkarkimin e tij bëhet për disa firma të Presidentit.
“Ne kemi një grupim që kërkon të kapë të gjithë pushtetet. Shikoje Parlamentin si e ke sot! Shikoje pushtetin lokal si e ke sot! Shikoje Prokurorinë si e ke sot? Ah kemi një problem. Kemi Presidentin. E duan ata edhe Presidentin. E duan që dikush të hedhë disa firma që të hedhin në erë interesat e Shqipërisë. I duan se kanë disa detyrime edhe ndërkombëtare. Janë 2-3 firma që duhen. Por deri në 22 korrik 2022 nuk do e kenë. Kushtetuta nuk e ka mbrojtur kot atë institucion. Presidenti është i popullit, nuk është as i PS, as i LSI, as i PD. PD dhe LSI janë shumë më pranë qeverisë sesa Presidenti me lëvizjet që kanë bërë, jo ik nga Parlamenti.I kanë nxjerrë njerëzit pa mbrojtje. E kanë kthyer opozitën në OJQ. I vetëm nuk jam. Jam i popullit dhe kur të vijë momenti do u flas gjithë shqiptarëve hapur. Një deklaratë bëra në Pogradec dhe e dhanë 1 mijë media botërore. Kjo është një deklaratë besnikërie ndaj popullit shqiptar,” u shpreh Presidenti Meta.
Meta tha se marrëdhëniet me diplomatët e ndershëm i ka të shkëlqyera, duke shtuar se me ata që dinë President dikë tjetër tha se nuk ka ndonjë marrëdhënie të shkëlqyer, por se i takon ndonjëherë edhe për kortezi.
Më tej, Meta tha se “Parlamentin e ka të paligjshëm. E mori me ndihmën e Lulit dhe të Monës. Me një vendim të Gjykatës Kushtetuese ata deputetë ikin të gjithë. Prokurorinë e mori komplet. I duhej të përgatiste procedurat për zgjedhjen e KLP. KLP zgjedh SPAK-un. Ku votojnë sot shqiptarët? Votojnë PS, apo ndonjë parti tjetër?! Kush i dëgjon më shqiptarët?” u shpreh Meta.
Sa i takon ngërçit me Gjykatën Kushtetuese, Meta tha se ka 3 vjet që kërkon plotësimin e këtij institucioni.
“Kam tre vjet që u them gjithë shqiptarëve edhe disa ndërkombëtarëve militantë se Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese sepse po bëhet ‘Ramaforma’”, tha Presidenti Meta.
Meta sulmoi edhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Kreu i KED-së ka bërë akte të pastra mafioze. Pse është një akt i pastër mafioz? Është një akt mafioz sepse listat që janë bërë, për të gjitha vakancat janë miratuar në të njëjtën kohë. Kryetari, i cili ka të drejtë të përgatisë rendin e ditës dhe të përcjellë shkresa për të zbatuar porositë e partisë që dy vakancat që i takojnë Presidentit ia ka çuar në një datë, ndërsa Kuvendit ia ka çuar 7 ditë më vonesë. Që Presidentit, sipas mendjes së tij, t’i mbaronte mandati për të dytin dhe Kuvendi të kishte 7 ditë kohë. Që Presidenti, ose të detyrohej që, ose brenda 30 ditëshit të bënte emërimin e të dytit që i takonte Presidentit dhe të ishte një shkelje e qartë e kushtetuese. Nuk u shpreha, sepse nuk shkela kushtetutën”, tha kreu i shtetit./atsh