Loading...

Çuçi pret në takim fermerët që protestuan, nis puna e përbashkët për adresimin e kërkesave të tyre

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka pritur sot në takim një përfaqësi të grupit të fermerëve që protestuan përpara disa ditësh lidhur me ngërçin e krijuar për shitjen e prodhimeve bujqësore, kryesisht të domates. Në takim u diskutuan me radhë të gjitha kërkesat që fermerët kanë parashtruar.

Ministri Çuçi garantoi fermerët se një grup ekspertësh i kryesuar nga zv/ministri Dhimo Kote ka ditë që po punon për të gjitha çështjet që kanë ngritur fermerët. Ministri garantoi fermerët se kërkesat që lidhen direkt me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, janë thuajse të realizueshme të gjitha.

“Zgjidhjet dhe vendimet merren gjithmonë duke u ulur së bashku në tryezën e punës. Sot ishte takimi i parë me përfaqësinë e një grupi fermerësh që kanë dalë në protestë. Ne kemi ngritur një grup pune në ministri, i kryesuar nga zv.ministri Dhimo Kote, për të adresuar si duhet kërkesat që ata kanë paraqitur. Në ditët dhe javët e ardhshme besoj se do të kemi takime të tjera për të shkuar drejt rezultateve konkrete. Kërkesat që lidhen direkt me Ministrinë e Bujqësisë, janë të parat që besoj se mund të përmbushen së shpejti brenda hapësirave dhe mekanizmave që ne kemi. Nuk do të lemë pa trajtuar as kërkesat e tjera që shkojnë përtej kësaj ministrie,” shprehet Çuçi.

Por kjo do të bëhet duke hapur një diskutim më të gjerë edhe me grupet e tjera të interesit, apo shoqatat e tjera rreth të cilave janë grupuar fermerët. Ndërkohë për kërkesat e tjera që nuk lidhen me Ministrinë e Bujqësisë dhe kërkojnë ndryshim në paketën fiskale, apo kanë efekt në buxhetin e shtetit, do të përfshihen në proces edhe Ministria e Financave, si dhe do të shqyrtohen në qeveri.

“Kurrë më parë s’është bërë kaq shumë për bujqësinë në Shqipëri sa kemi bërë ne. Rritja prodhimit bujqësor dhe nivelit të eksporteve është treguesi më domethënës i këtij fakti. Gjatë këtij viti kemi bërë zero, si asnjë vend tjetër në rajon, TVSH-në për imputet bujqësore. E megjithatë bujqësia ka probleme sepse është një sektor delikat në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri. Përtej të gjithave, ne jemi të vendosur të shtojmë mbështetjen dhe lehtësitë ndaj fermerëve,” deklaroi më tej ministri Cuci.

Takimi i sotëm ishte hapi i parë i një pune të përbashkët që do të vijojë në ditët dhe javët e ardhshme për të adresuar si duhet shqetësimet e fermerëve. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com