Loading...

“Një anëtar, një votë”, Balla: Të shtunën, zgjidhen mbi 700 delegatë të Kongresit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi sot anëtarësinë e PS-së, që në 16 nëntor të zgjedhin delegatët e rinj të Kongresit, në një proces, që sipas tij, “do të dëshmojë funksionimin e demokracisë së brendshme në PS”.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se “sapo ka përfunduar ndarja e të gjitha materialeve zgjedhore në të gjitha degët e PS-së”.

“Ky është një proces tepër i rëndësishëm që ditën e shtunë përmbyll fazën e parë, zgjedhjen e drejtpërdrejt nga anëtarësia e Partisë Socialiste përmes parimit ‘Një anëtar një votë’ të më shumë se 703 delegatëve nga të 61 bashkitë e vendit”, tha Balla.

Ai tha se në 16 nëntor socialistë do të kenë mundësinë të votojnë në më shumë se 363 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa shtoi se ato do të jenë të hapura prej orës 08:00-16:00.

“Zgjedhjet për emigracionin do të vijojnë edhe gjatë muajit nëntor. Kemi autorizuar Sekretariatin tonë për Emigracionin për të testuar edhe modele të votimit online apo votimit me postë”, tha ai.

Balla ftoi më shumë se 107 800 anëtarë të PS-së të regjistruar në këtë proces zgjedhor të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm, pasi sipas tij, “PS mbetet fuqia e ndryshimit edhe në aspektin e funksionimit të demokracisë brenda një partie politike, model edhe për parti të tjera”.

Sipas Ballës, “edhe në selinë e PS-së do të hapet një qendër votimi ku rreth 800 anëtarë të PS Tiranë do të votojnë në mënyrë elektronike”.

“Janë më shumë se 1080 komisionerë që janë trajnuar. Për herë të parë kemi zhvilluar dhe një proces prezantimi të kandidatëve për delegatë dhe në këtë moment në bashki të ndryshme të vendit po vijojnë prezantimin para anëtarësisë së partisë, që në 16 nëntor çdo anëtar të ketë të qartë se kush do të jetë delegati që voton”, tha Balla.

Ai shtoi se “çdo proces forcimi të demokracisë së brendshme në PS është shenjë e forcimit të demokracisë në vend”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com