Loading...

Shahini, të diplomuarve për Drejtësi: Punësim për ekselentët dhe praktikë 3-mujore për pjesën tjetër

/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të fakultetit të Drejtësisë nga ku tha se më të mirët do të punësohen në administratën shtetërore me një kontratë 1-vjeçare.

“Si politikëbërës ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që gjenerata juaj po diplomohet në një situatë paqartësish dhe sfidash jo vetëm ekonomike por dhe të tjera. Ndaj jam e lumtur që sivjet ne kemi arritur të ndërmarrim disa masa që unë shpresoj sinqerisht që do arrijnë t’iu ndihmojnë dhe juve që të kyçeni më lart në tregun e punës pas diplomimit. Siç tha dhe dekani, me nismat që kemi ndërmarrë sivjet, portali “Punë të mbarë”, të diplomuarit ekselentë që kanë mesataren 9-10 do ta gjejnë veten në sistemim e administratës publike me një kontratë një vjeçare e cila nëse rezulton e suksesshme vazhdon më tutje në shërbimin civil”, -tha Shahini. Më tej, ajo theksoi se është menduar edhe për pjesën tjetër që nuk hyjnë tek ekselentët.

“Por jo të gjithë kanë mesatare 9 ose 10 e për të gjithë të tjerët ne kemi siguruar një numër shumë me të lartë të praktikave të punës që është një mënyrë tjetër për të hyrë në tregun e punës. 3 muaj praktikë pa pagesë dhe nëse kjo rezulton e suksesshme vazhdon një kontratë në administratën publike. Por nuk është vetëm administrata e vetmja rrugë për të gjetur punësim. Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme me sektorin privat që të rrisim numrin e pozicioneve që janë në dispozicion për të sapo diplomuarit”, -tha ministrja. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com