Loading...

Meta: Momenti i krijimit të Kushtetueses historik, ua kam thënë disa diplomatëve të korruptuar që Shqipëria mos të ngelej pa gjykatë funksionale

Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për shtyp iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi dekretin për përzgjedhje e Marsida Xhaferllarit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese si dhe procedurën e ndjekur për plotësimin e kësaj vakance.

I pyetur mbi afatin prej 30 ditësh, Meta tha se “nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Ka afat për parlamentin, për arsye se dihet që parlamenti është një institucion kolegjial, por nuk kemi një afat të përcaktuar në Kushtetutë për presidentin. E dyta, Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetua është zero pa Gjykatë Kushtetuese dhe ne jemi pa Kushtetutë përderisa jemi pa Gjykatë Kushtetuese. Momenti i krijimit të Gjykatës Kushtetuese është historik sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës që u bë në Kushtetutë për reformën në drejtësi dhe është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta për këtë çështje sepse Gjykata Kushtetuese është garancia për mbrojtjen e Kushtetutës, në interes të popullit shqiptar dhe çdo qytetari të Shqipërisë”.

Çdo akt në këtë proces i presidentit, i parlamentit dhe gjithë institucioneve që janë të përfshira në ndërtimin Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është historik, tha Meta, sepse do ngelet si referencë në të ardhmen. “Çdo veprim i presidentit aktual është një veprim që mbetet si precedent në të ardhmen për presidentët e ardhshëm. Duhet të kemi të qartë që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ për të garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai.

Meta shtoi se “Presidenti ka të drejtën e parë për të plotësuar vakancën e parë të Gjykatës Kushtetuese, pastaj është parlamenti, dhe në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje dhe në këtë plan, është detyra e KED-së të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe të afateve që të respektohet Kushtetuta për mënyrën e ndërtimin të Gjykatës Kushtetuese, të respektohet ligji për Gjykatën Kushtetuese e të mos kemi përplasje midis institucioneve dhe nuk është e kundërta që KED është një institucion kolegjial apo akoma më keq, jo KED por kryetari i KED, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat për vakancat që krijohen midis Presidentit dhe Parlamentit, ku kishim katër vakanca nga dy për secilin institucion, në mënyrë të tillë, tepër të dyshimtë për të mos thënë pa e tepruar, mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë, pra kreun e shtetit, që ose të shkelë detyrimisht Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e cila thotë qartë që presidenti plotëson vakancën e parë dhe pastaj është parlamenti që plotëson vakancën e dytë. Duke dërguar të dyja listat që ai ka, për vakancën e parë dhe për vakancën e tretë, presidenti praktikisht shkel Kushtetutën e pastaj parlamenti me të drejtë do ta anatemonte presidentin si shkelës i Kushtetutës dhe pastaj për zgjedhjen e vakancës së dytë që i takonte presidentit si antikushtetuese. Ose me interpretime qesharake, thotë që i ka mbaruar afati presidentit. Kjo është absurde, është e turpshme, është mafioze”, – u shpreh Meta para gazetarëve.

Meta vijon duke thënë se, “Marrëdhënia e Presidentit me KED nuk është një marrëdhënie e re. Kemi qenë në një marrëdhënie të përhershme institucionale, zyrtare. Shqetësimet tona nuk i kemi bërë publike se nuk kemi dashur ta dëmtojmë më tej këtë proces se sa ata që e lanë Shqipërinë dy vjet qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese. Ata që bllokuan dy herë KED në mënyrë që të gjenin një kryetar KED-je si ky që bën këto lojëra e këto filma që nuk ka ngelur budalla më pa i kuptuar këtu, përveç të korruptuarve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë tashmë shumë të evidentuar. Gjithmonë i është kërkuar KED në kohë që të marrë të gjitha masat që mos vijmë në një situatë të tillë, pra të marrë masat administrative të garantimit të listave që për çdo vend, për çdo vakancë të kemi 3 kandidatë të paktën, jo të jemi në një situatë ku është e qartë që pothuajse të gjithë kandidatët janë të paracaktuar dhe ku mundësia e zgjedhjes është pranë 0 se kjo do të thotë që cenohet parimi kushtetues i përzgjedhjes nga institucionet që ngarkon Kushtetua për këtë çështje”.

Duke u ndalur te dekreti për Marsida Xhaferllarin, Meta tha se “veprimet e mia kanë qenë të ligjshme. Ju përmendët një emër, unë ju them, është emri me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët e zgjedhur nga KED dhe një person tërësisht i diskriminuar, duket për çfarë arsyesh, dhe është një person që nga dy persona të shfaqur politikisht si anëtarë të KED ka marrë vlerësimin zero dhe ko është arsyeja pse jemi këtu ndërkohë që ka pasur kualifikimet më të larta nga kushdo tjetër”.

“Presidenti nuk merret me asnjë individ. Nëse Presidenti nuk do kishte besimin tek asnjë individ do thoshte që s’kam besim tek askush dhe s’kam detyrim të përzgjedh dhe veproni si të dëshironi. Të ndërtosh një proces me kaq shumë probleme që janë evidentuar qartë jo për fajin tim, por për faj të mungesës së bashkëpunimit dhe të përpiqesh ta banalizosh në histori të tilla kur bëhet fjalë për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese e cila asnjë ditë nuk duhet të kishte qenë e mbyllur dhe bosh dhe kjo ka ndodhur qëllimisht. Ua kam thënë 1000 herë, edhe disa diplomatëve të korruptuar që thonin më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Ua kam thënë se ne kemi bërë një marrëveshje ku kemi vendosur që dhe Gjykata Kushtetuese të vendoset në vetting dhe marrëveshja ka qenë që asnjë ditë Shqipëria nuk do ngelet pa gjykatë funksionale. Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë”, deklaroi presidenti Meta.

“Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë. Nuk ka ndodhur kjo situatë prej vetingut, por se në krye të KED erdhi një ushtar i verbër i partisë. KED e parë u bllokua se nuk iu pëlqyen emrat, pastaj u vendos një ushtar i partisë, që vë në pozitë Presidentin, që ose të shkelë Kushtetutën me pahir, ose me lojëra të tillë të turpshme, që as ca fëmijë rrugeçër nuk i bëjnë. Kjo është e vërteta”, deklaroi presidenti Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com