Loading...

Moti i keq në Vlorë, prefekti Mamaj për ATSH: Po punohet për rikthimin e energjisë në disa fshatra

Qyteti bregdetar i Vlorës është më i prekuri nga moti i keq, ku reshjet e forta, shoqëruar me stuhi dhe shkarkesa atmosferike dëmtuan rrjetin elektrik në disa zona, kryesisht përgjatë bregdetit, por edhe në Lumin e Vlorës.

Si pasojë e motit të keq dhe dallgëzimit në det vijon të jetë i pezulluar edhe lundrimi detar. Trageti i linjës Vlorë-Brindisi edhe sot nuk ka lundruar në drejtim të Vlorës, ndërsa anijet e peshkimit sërish nuk janë lejuar nga Kapiteneria që të dalin në det.

Ndërkohë përsa i përket situatës me qarkullimin rrugor, nuk janë shfaqur probleme.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “qarkullimi i mjeteve në qafën e Llogarasë ka filluar normalisht që pasditen e djeshme, pas largimit të pemëve nga rruga”.

“Ndërsa ka probleme me shtyllat e tensionit të ulët, për të cilat ka filluar faza e riparimit sot nga OSHEE Vlorë, pasi dje ishte e pamundur ndërhyrja nga moti keq”,- theksoi Mamaj.

Prefekti Mamaj u shpreh se probleme me furnizimin e energjisë ka edhe në disa fshatra të Vlorës, ku punonjësit e OSHEE po ndërhyjnë për normalizimin e situatës pas dëmeve nga moti i keq.

Sipas OSHEE, konkretisht në Nartë, rrëzuar shtylla, në Himarë është stakuar fideri 1, në Dhërmi te pedonalja është shembur një kabinë (pranë Havana), Qeparoi dhe Kudhës janë pa dritat pas dëmtimit të fiderit 6 pranë Porto Palermos, në në Rradhimë është shkëputur përcjellësi Tm, pjesë e fiderit 2, kurse në Selenicë kemi probleme në kabinën “Resulaj”, gjithashtu fshatrat Bolene dhe Vranisht.

Aktualisht brigadat e avarive OSHEE Vlorë pasi morën masat tekniko-organizative janë shpërndarë në zonat e prekura, ku në disa akse është duke u punuar, në kushte aspak të favorshme moti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com